Nëse dëshironi të përgatisni një ëmbëlsirë të thjeshtë, krokante dhe aromatike për vjeshtë, palmierët francezë me kanellë janë një zgjedhje ideale.
Përgatiten me vetëm disa përbërës dhe nuk kërkojnë shumë kohë në kuzhinë.
Palmierët francezë janë biskota të përgatitura nga brumi sfoliat, sheqeri dhe kanella.
Palmierët francezë
Ata kanë një formë karakteristike, e cila krijohet duke palosur brumin nga të dyja anët.
Gjatë pjekjes, sheqeri karamelizohet dhe u jep një shije të ëmbël dhe një strukturë krokante.
Përbërësit:
500 g brumë sfoliat
100 g sheqer
2 lugë çaji kanellë të bluar
1 pako sheqer vanilje, sipas dëshirës
1 majë luge kripë
Përgatitja:
Fillimisht, në një enë përzieni sheqerin, kanellën, sheqerin e vaniljes dhe një majë luge kripë.
Hidhni një pjesë të përzierjes së sheqerit dhe kanellës mbi sipërfaqen e punës.
Vendosni sipër brumin sfoliat dhe nëse është e nevojshme, hapeni lehtë me petës në formë drejtkëndëshi me trashësi rreth 3–4 milimetra.
Shpërndani në mënyrë të njëtrajtshme pjesën tjetër të përzierjes së sheqerit dhe kanellës mbi brumë.
Më pas, palosni të dyja anët e gjata të brumit derisa të bashkohen.
Në këtë mënyrë do të krijohet një role e gjatë, e cila do të jetë baza e palmierëve.
Mbështilleni brumin me letër pjekjeje ose me folie kuzhine dhe vendoseni në frigorifer për rreth 30 minuta.
Ftohja e bën brumin më të lehtë për t’u prerë dhe ndihmon që palmierët të ruajnë formën gjatë pjekjes.
Pas ftohjes, priteni brumin në feta me trashësi rreth 1–1,5 centimetra.
Vendosini në një tepsi të shtruar me letër pjekjeje, duke lënë hapësirë mes tyre, pasi gjatë pjekjes do të zgjerohen.
Nëse dëshironi, mund t’i spërkatni sipër me pak sheqer dhe kanellë.
Ngroheni furrën në 200°C, ose në 180°C nëse përdorni furrë me ventilim.
Piqni për rreth 15–18 minuta, derisa brumi të fryhet dhe sheqeri të karamelizohet, duke marrë një ngjyrë të artë në kafe.
Pasi t’i nxirrni nga furra, lërini për disa minuta në tepsi dhe më pas transferoji në një rrjetë që të ftohen plotësisht.
Kur të ftohen, sheqeri i karamelizuar do të forcohet dhe palmierët francezë do të bëhen edhe më krokantë, duke i bërë një ëmbëlsirë perfekte për ta shijuar me kafe ose çaj. /Telegrafi/