Në kuadër të masave për parandalimin e përmbytjeve, në fshatin Piranë të Prizrenit po vazhdojnë punimet për pastrimin dhe hapjen e kanalit kullues.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se ndërhyrja synon të lehtësojë largimin e ujërave dhe të zvogëlojë rrezikun e përmbytjeve në këtë zonë.
“Zona e Piranës dhe e Përdrenisë njihet për përmbytje, veçanërisht gjatë reshjeve të dendura, për shkak të grumbullimit të ujërave dhe nevojës për mirëmbajtjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese”, ka shkruar Totaj.
Sipas tij, punimet në terren po përcillen nga afër nga drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Nderim Kadriaj.
“Do të ndërhyjmë edhe në fshatrat e tjera dhe në çdo zonë ku ka nevojë, me qëllim që të parandalojmë përmbytjet dhe të mbrojmë tokat bujqësore dhe shtëpitë e qytetarëve”, ka deklaruar Totaj. /Telegrafi/