Semaforët e rinj të vendosur në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë janë lëshuar sot, 23 shtator 2026, në qarkullim – pas disa muajsh punë dhe testimesh të realizuara gjatë javëve të fundit, raporton Telegrafi.
Vendosja e semaforëve ishte bërë me synimin për të rregulluar qarkullimin në këtë pjesë të kryeqytetit, ndërsa pas përfundimit të punimeve dhe testimeve ishte pritur që funksionalizimi i tyre të ndikonte në përmirësimin e rrjedhës së trafikut.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Megjithatë, në ditën e parë të funksionalizimit, situata në komunikacion duket se është përkeqësuar, me krijimin e kolonave të automjeteve në këtë aks rrugor.
Sipas vëzhgimeve në terren, një nga faktorët që po ndikon në krijimin e tollovive është kohëzgjatja e cikleve të semaforëve. Në disa prej tyre, pritja në të kuqe zgjat rreth 90 sekonda, ndërsa koha kur semafori kalon në të gjelbër është rreth 30 sekonda.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Kjo ka bërë që brenda pak minutash të krijohen kolona të automjeteve, ndërsa qarkullimi nuk po zhvillohet në ritmin që pritej pas funksionalizimit të sistemit të ri të semaforëve.
Një tjetër çështje që bie në sy është koordinimi mes semaforëve, pasi nga gjendja në terren krijohet përshtypja se ciklet e tyre nuk janë të sinkronizuara në mënyrë që të mundësohet rrjedhje më e pandërprerë e automjeteve.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Semaforët në këtë pjesë të rrugës janë vendosur nga Komuna e Prishtinës, e cila për muaj me radhë ka punuar në realizimin e këtij projekti.
Mbetet të shihet nëse kohëzgjatja e cikleve dhe koordinimi i semaforëve do të rregullohen në ditët në vijim, në mënyrë që funksionalizimi i tyre të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit dhe jo në krijimin e kolonave të reja. /Telegrafi/
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi