Zëvendëspresidenti i Odës Ekonomike Zvicër–Kosovë, Butrint Ajredini, ka thënë se perceptimi jashtë vendit për nivelin e sigurisë në Kosovë nuk përputhet me realitetin dhe të dhënat statistikore.
Në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Ajredini deklaroi se Kosova renditet ndër vendet më të sigurta, por ky realitet ende nuk njihet sa duhet nga qytetarët dhe investitorët e huaj.
“Perceptimi është krejtësisht i gabuar. Statistikat e fundit tregojnë se Kosova është një nga vendet më të sigurta në Evropë, madje edhe në botë”, deklaroi ai, shkruan Telegrafi.
Ajredini pranoi se perceptimi negativ vazhdon të ekzistojë, duke theksuar se ndryshimi i tij kërkon angazhim nga institucionet, komuniteti i biznesit, qytetarët dhe mediat.
“Ne, si Odë Ekonomike, por edhe secili biznesmen dhe qytetar, duhet t’ua tregojmë njerëzve realitetin përmes përvojave dhe rrëfimeve personale”, tha Ajredini.
– YouTube www.youtube.com
Sipas tij, rol të rëndësishëm në prezantimin e një pasqyre më reale të Kosovës kanë edhe mediat dhe gazetarët, duke sjellë histori konkrete për sigurinë dhe mundësitë që vendi u ofron investitorëve.
Ai vlerësoi se diskutime të tilla, përfshirë intervistën në “Përballje Podcast”, ndihmojnë në kundërshtimin e perceptimeve të pasakta dhe në promovimin e Kosovës si vend i sigurt për të jetuar dhe investuar. /Telegrafi/