Mesfushori holandez Tijjani Reijnders vendosi të largohej nga Evropa dhe të transferohej nga Manchester City në Arabinë Saudite në kulmin e karrierës së tij, ndërsa tani është bërë një nga futbollistët e parë që pranon publikisht se vendimi i tij u ndikua kryesisht nga aspekti financiar.
Jo shumë kohë më parë, Reijnders ishte një nga mesfushorët më të mirë në Serie A me fanellën e Milanit, gjë që i siguroi transferimin te Manchester City në verën e vitit 2025 për 55 milionë euro.
Pas vetëm një sezoni në “Etihad”, ai vendosi të kalojë te Al-Qadsiyah në Arabinë Saudite, klub që pagoi 61 milionë euro për kartonin e tij, duke i mundësuar Cityt të përfitojë financiarisht nga kjo lëvizje.
Mesfushori holandez, njëherësh edhe reprezentues standard i Holandës, pranoi se oferta financiare ishte arsyeja kryesore e transferimit.
“Nuk mund t’i fajësoj ata që thonë se shkova në Arabinë Saudite për para. Kur të ofrojnë një pagë të tillë, provo të thuash jo. Shumë njerëz mund të flasin për moralin dhe të thonë se nuk do ta bënin kurrë, por jam i bindur se shumica do ta pranonin”, deklaroi Reijnders.
Ai shtoi se diferenca financiare ishte shumë e madhe në krahasim me pagat që kishte fituar më parë.
“Shumica e njerëzve do ta pranonin një ngritje të tillë në punën e tyre. Po, fitoja shumë mirë te City, por po flasim për shuma që janë pothuajse të pamundura të refuzohen”, u shpreh holandezi.
Reijnders fiton rreth 400 mijë euro në javë te Al-Qadsiyah, pa përfshirë bonuset shtesë. Në Manchester City ai përfitonte rreth 250 mijë euro në javë, ndërsa te Milani afërsisht 80 mijë euro./Telegrafi/