Komuna e Malishevës ka njoftuar se sot është përuruar objekti i ri i Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Kijevë.
Objekti është ndërtuar përmes bashkëfinancimit ndërmjet organizatës Qatar Charity dhe Komunës së Malishevës dhe, sipas komunës, i plotëson kushtet për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për banorët e Kijevës dhe fshatrave përreth.
Në ceremoninë e përurimit, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka falënderuar Qatar Charity dhe donatorët për realizimin e këtij projekti.
“Ky është një bashkëpunim mes dy popujve dhe, në emër të banorëve të Komunës së Malishevës, e falënderoj popullin e Katarit për këtë donacion dhe për të gjitha investimet e tjera, që arrijnë shumën mbi një milion euro, ku përfshihen përkrahja në shëndetësi, bujqësi, ndërtimi i shtëpive dhe hapja e puseve për shumë familje”, ka thënë Kastrati.
Koordinatori i projekteve në Qatar Charity, Ahmed Al-Ahmadi, ka falënderuar donatorët që kanë kontribuar në realizimin e projektit.
Ndërsa drejtori i Qatar Charity për Kosovë, Ahmed Al-Ashal, ka falënderuar veçanërisht Fawziya Al-Ishaq, e cila, pas një vizite në këtë qendër mjekësore, ishte angazhuar për gjetjen e donatorëve dhe mbledhjen e fondeve për ndërtimin e saj.
Al-Ashal ka falënderuar edhe Komunën e Malishevës për bashkëpunimin në realizimin e projektit.
Në ceremoni ka marrë pjesë edhe drejtori për Shëndetësi në Komunën e Malishevës, Amrush Helshani, i cili ka shprehur mirënjohje për Qatar Charity dhe popullin e Katarit për këtë projekt.
Gjatë ceremonisë, kryetari Kastrati ka ndarë mirënjohje për drejtorin e Qatar Charity, Ahmed Al-Ashal, dhe koordinatoren e donatorëve, Fawziya Al-Ishaq.
Mirënjohje për kontributin e dhënë është ndarë edhe për koordinatorin e projekteve të Qatar Charity, Ahmed Al-Ahmadi, ndërsa ky i fundit, në emër të organizatës, i ka dhuruar kryetarit Kastrati një mirënjohje me simbolin e shtetit të Katarit.
Pas prerjes së shiritit, të pranishmit kanë vizituar ambientet e brendshme të QMF-së, të cilat janë prezantuar nga drejtori i QKMF-së në Malishevë, dr. Dardan Bytyçi. /Telegrafi/