Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka përshëndetur marrëveshjen e re të sigurisë të nënshkruar me Shtetet e Bashkuara dhe Danimarkën, duke theksuar se dokumenti merr parasysh të drejtat dhe interesat e popullsisë së territorit.
Nielsen tha se marrëveshja njeh të drejtat, mënyrën e jetesës dhe zhvillimin e Grenlandës, duke shtuar se këto kanë qenë ndër prioritetet kryesore të autoriteteve gjatë negociatave.
Sipas tij, situata e sigurisë në Arktik po ndryshon dhe Grenlanda i njeh kërcënimet e përmendura nga presidenti amerikan, Donald Trump, shkruan skynews.
Duke folur për marrëdhëniet me NATO-n dhe aleancën perëndimore, Nielsen tha se marrëveshja duhet t’i japë fund çdo dyshimi për orientimin e Grenlandës.
“Angazhimi ynë ndaj kësaj aleance dhe ndaj sigurisë që kemi ndërtuar së bashku nuk vihet në dyshim”, deklaroi ai.
Nielsen theksoi se Grenlanda do të vazhdojë të jetë një “mik i palëkundur” i Shteteve të Bashkuara dhe pjesë e Aleancës Perëndimore.
Deklaratat e tij vijnë pas nënshkrimit të marrëveshjes së re të sigurisë mes SHBA-së, Danimarkës dhe Grenlandës, pas një periudhe tensionesh lidhur me të ardhmen dhe statusin e territorit autonom. /Telegrafi/