Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka propozuar që hapësira komunale ku aktualisht funksionon Spitali Amerikan të konsiderohet si lokacion për Spitalin Publik të Prishtinës.
Sveçla ka thënë se Prishtina duhet ta ketë spitalin e saj, ndërsa shërbimet që do të ofroheshin aty, sipas tij, duhet të përcaktohen në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe mbi bazën e analizave profesionale.
Ai ka theksuar se Spitali i Prishtinës duhet të jetë komplementar me QKUK-në dhe jo kopje e saj.
“Spitali i Prishtinës duhet të jetë komplementar me QKUK-në, jo kopje e saj. Aty ku QKUK-ja është e mbingarkuar, shërbimet duhet të ofrohen edhe në Spitalin e Prishtinës; aty ku ka kapacitete të mjaftueshme, nuk ka nevojë për struktura e shërbime të ngjashme”, ka shkruar Sveçla.
Sa i përket lokacionit, ai ka përmendur pronën komunale ku aktualisht funksionon Spitali Amerikan, duke thënë se kontrata për këtë hapësirë përfundon vitin e ardhshëm.
“Lokacioni është ngjitur me QKUK-në dhe aty tashmë ekzistojnë objekte të ndërtuara për veprimtari spitalore. Qasja nga lagjet dhe fshatrat e Prishtinës është e lehtë, si me transport publik, ashtu edhe me transport privat”, ka deklaruar ai.
Sipas Sveçlës, kjo hapësirë duhet të konsiderohet seriozisht si lokacion për Spitalin Publik të Prishtinës.
“Më pak kosto, më pak kohë dhe një zgjidhje shumë më funksionale për qytetin”, ka shkruar ai.
Në fund, Sveçla ka thënë se për realizimin e këtij propozimi nevojitet koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve.
“Spitali është i nevojshëm. Lokacioni është i gatshëm. Nevojitet koordinim dhe bashkëpunim për realizimin e tij”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/