Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar kategorikisht se Shtetet e Bashkuara po përballen me mungesë municionesh pas luftës me Iranin, duke kundërshtuar një raport të inspektorit të përgjithshëm të Pentagonit.
Pak orë para fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku lufta me Iranin pritet të jetë një nga temat kryesore, Trump reagoi në rrjetin e tij social Truth Social.
Raporti i inspektorit të përgjithshëm të Pentagonit kishte evidentuar se lufta me Iranin kishte shkaktuar mungesa në disa lloje municionesh dhe pengesa në zinxhirët e furnizimit për ushtrinë amerikane, transmeton Telegrafi.
Por Trump e hodhi poshtë këtë vlerësim, duke akuzuar kritikët se duan të krijojnë përshtypjen se SHBA-ja nuk ka më kapacitete të mjaftueshme ushtarake.
“Frikacakët dhe tradhtarët do të donin të thoshin se Shtetet e Bashkuara kanë pak municione”, shkroi Trump, duke pretenduar se SHBA-ja ka “më shumë municione sesa mund të mendojmë ndonjëherë të përdorim”.
Deklarata vjen në një moment kur administrata amerikane po përpiqet të nënvizojë kapacitetet ushtarake të SHBA-së, ndërsa raportet zyrtare kanë ngritur shqetësime për ritmin e konsumit të municioneve dhe vështirësitë për të rimbushur rezervat pas operacioneve intensive. /Telegrafi/