Qeveria irakiane ka nisur një plan për të mbledhur rreth 6 milionë armë që ndodhen jashtë institucioneve shtetërore, por përpjekja po përballet me rezistencë nga disa prej milicive më të fuqishme të mbështetura nga Irani.
Bagdadi e kishte vendosur 30 shtatorin si afatin për dorëzimin e armëve nga grupet e armatosura, por tashmë kjo datë nuk po trajtohet më si një afat përfundimtar.
Zëvendësministri i Brendshëm, Hussein al-Awadi, tha se 30 shtatori do të shërbejë si pikënisje për një proces rregullator që do të zhvillohet gradualisht, transmeton Telegrafi.
Një komitet prej katër anëtarësh, ku përfshihen kryeministri Ali al-Zaidi dhe ish-kryeministri Mohammed Shia al-Sudani, po punon për mekanizmin e ri të mbledhjes dhe kontrollit të armëve.
Qeveria ka zgjedhur negociatat dhe jo forcën ushtarake për të çarmatosur grupet. Kryeministri al-Zaidi kishte deklaruar në gusht se qeveria nuk kishte ndërmend të përdorte ushtrinë kundër milicive dhe se me disa grupe tashmë kishte nisur dorëzimi i armëve, ndërsa me të tjerat vazhdonin bisedimet.
Por dy prej grupeve më të fuqishme, Kataib Hezbollah dhe Harakat al-Nujaba, kanë refuzuar të dorëzojnë arsenalet e tyre, duke i cilësuar ato si “armë të rezistencës”.
Fushata për kontrollin shtetëror të armëve po zhvillohet edhe nën presion të konsiderueshëm nga Shtetet e Bashkuara.
Uashingtoni i ka kërkuar Bagdadit një afat të qartë për vendosjen e të gjitha armëve nën autoritetin e shtetit, ndërsa administrata Trump e ka lidhur këtë çështje edhe me aksesin e Irakut në flukset e dollarëve, të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Në qendër të përplasjes janë kryesisht milici shiite të krijuara me mbështetjen e Iranit. Shumë prej tyre janë pjesë e Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), një strukturë e krijuar në vitin 2014 pas thirrjes së klerikut të lartë shiit, Ajatollah Ali al-Sistani, për luftë kundër grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik.
Disa prej këtyre grupeve janë integruar zyrtarisht në strukturat e sigurisë së Irakut, ndërsa të tjera kanë ruajtur zinxhirë të pavarur komandimi dhe, sipas autoriteteve, vazhdojnë të kenë lidhje me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.
Kataib Hezbollah dhe Harakat al-Nujaba, të dyja grupe të rreshtuara fuqishëm me Teheranin, kanë goditur më parë forcat amerikane në Irak dhe kanë kryer sulme ndaj objektivave në Gjirin Persik.
Në anën tjetër, Saraya al-Salam, Asaib Ahl al-Haq dhe Kataib Imam Ali kanë arritur marrëveshje me qeverinë për dorëzimin e armëve ose rregullimin e statusit të tyre.
Saraya al-Salam u shkëput zyrtarisht nga lëvizja e klerikut shiit Muqtada al-Sadr dhe u integrua në forcat irakiane të sigurisë gjatë një ceremonie në Samarra në qershor.
Kryeministri Ali al-Zaidi, 40 vjeç, biznesmen miliarder pa përvojë të mëparshme në politikë apo qeverisje, u miratua nga parlamenti më 14 maj si kandidat kompromisi pas muajsh ngërçi brenda Kornizës së Koordinimit Shiit.
Vendosja e të gjitha armëve nën kontrollin e shtetit ishte një prej zotimeve kryesore të programit të qeverisë së tij. /Telegrafi/