Juventusi është rikthyer te fitorja në Serie A, duke mposhtur Atalantën me rezultat 2-0 në një ndeshje ku skuadra e Luciano Spallettit tregoi efikasitet dhe siguri në repartin defensiv.
“Zonja e Vjetër” e zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të. Francisco Conceicao reagoi shpejt brenda zonës dhe me një goditje të parë e dërgoi topin në këndin e poshtëm të djathtë, duke i dhënë Juventusit epërsinë 1-0.
Atalanta tentoi të reagonte, por nuk arriti të gjente golin e barazimit. Jonathan Rowe rrezikoi në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Thomas Kristensen pati një mundësi të mirë me kokë, por mbrojtja e Juventusit arriti të rezistojë.
Në këtë ndeshje pati minuta edhe për Edon Zhegrovën, i cili u aktivizua në minutën e 72-të në vend të Francisco Conceicaos.
Goli i qetësisë për Juventusin erdhi në minutën e 77-të. Pas një goditjeje nga këndi që e harkoi Zhegrova, ishte Bremer që u ngrit më lart se të gjithë në zonë dhe me një goditje të fuqishme me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 2-0.
Juventusi e menaxhoi avantazhin deri në fund, pavarësisht përpjekjeve të Atalantës. Randal Kolo Muani pati një rast në minutat e fundit, por goditja e tij u ndal nga Marco Carnesecchi.
Me këtë fitore, Juventusi rikthehet në rrugën e suksesit dhe shkon në 10 pikë, duke u pozicionuar në pjesën e sipërme të tabelës së Serie A. /Telegrafi/