Ujërat e zeza po vazhdojnë të rrjedhin në hapësirë të hapur prej disa muajsh në rrugën “Bedri Pejani”, në Bresje të Fushë Kosovës, duke shqetësuar banorët e kësaj zone.
Banorët thonë se përveç aromës së rëndë, gjendja po krijon vështirësi edhe për lëvizjen e qytetarëve dhe fëmijëve në këtë pjesë.
Për këtë problem ka folur edhe asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Valon Murseli, i cili tha se çështja është ngritur te Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe KRU “Prishtina”.
“Një çështje të cilën e kanë ngritur banorët është një problem që po vazhdon gjatë, ku dalin ujërat dhe kanalizimi në atë pjesë dhe qytetarët janë shumë të shqetësuar, sepse po u krijon shumë probleme”, tha Murseli.
Ai bëri të ditur se për problemin ka diskutuar me drejtorin e Shërbimeve Publike, Izja Mjeku, dhe drejtorin e Njësisë së KRU “Prishtina” për Fushë Kosovën.
Sipas Murselit, në këtë pjesë është intervenuar disa herë, por banorët kërkojnë që problemi të trajtohet përmes një projekti të veçantë dhe të zgjidhet në mënyrë afatgjatë.
Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Izja Mjeku, tha se kjo rrugë ka probleme të theksuara dhe se komuna ka intervenuar dy ose tri herë përmes kompanisë së kontraktuar, ndërsa ka ndërhyrë edhe KRU “Prishtina”.
“Jemi në fazën kur po analizohen projektet dhe me siguri një ndër prioritetet ose projektet e para do të jetë edhe kjo lagje, për arsye se ka probleme shumë të theksuara”, tha Mjeku.
Ai shtoi se kanalizimet e ndërtuara në atë pjesë janë jashtë standardeve dhe se me kontraktimin e një kompanie pritet të bëhet rregullimi i tyre.
Pas kërkesës së banorëve, KRU “Prishtina” ka intervenuar në këtë pjesë për pastrimin dhe hapjen e kanalit.
Megjithatë, banorët thonë se problemi nuk është zgjidhur përfundimisht. Ata kërkojnë që pas ndërhyrjes të rregullohet edhe rruga, e cila është dëmtuar dhe po paraqet vështirësi për qarkullim. /Telegrafi/