Banorët e lagjes Kalabria në Prishtinë po përballen prej vitesh me problemet që lidhen me kolektorin e kanalizimit, punimet për të cilin kanë nisur shumë kohë më parë.
Përveç zvarritjes së projektit, banorët thonë se përditshmëria e tyre rëndohet edhe nga era e rëndë e kanalizimit, ndërsa gjatë reshjeve ekziston rreziku i vërshimeve.
Në vitin 2023 ishte premtuar se punimet do të përfundonin brenda 180 ditësh. Megjithatë, më shumë se tre vjet më vonë, projekti ende nuk është përfunduar.
Një banor i Kalabrisë ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen në këtë pjesë të lagjes.
“Edhe është histori e gjatë puna me këtë shëmti këtu, apo jo? Prandaj, edhe pasojat janë të pa paparashikueshme, janë tmerrshme”, tha banori i lagjes Kalabria.
Ai tha se era e rëndë është bërë pjesë e përditshmërisë së banorëve, duke kritikuar institucionet për mungesën e një zgjidhjeje.
“Çdo ditë thithim këtë aromë, këtë ushqim, ushqehemi me këtë shëmti. Ndodh në kryeqytetin e Kosovës, para syve të gjithë njerëzve, qytetarëve që janë të pafuqishëm të bëjnë diçka konkrete”, potencoi ai.
Sipas tij, një nga problemet që ka ndikuar në zvarritjen e projektit lidhet edhe me përplasjet mes pushtetit qendror dhe atij lokal.
“Po shiko, duket këtu që është konsekuence e një marrëzie shqiptare një konsekuencë e them në thonjëza ‘konflikti mes pushtetit qendror dhe vendor’, ndërkaq pasojat i vuajnë qytetarët këtu”.
“Është shembulli tipik shqiptar, i marrëzisë, i jokompetencës, i mungesës së shpirtit të përgjegjësisë për shtetin, për normalitetin … kjo, kjo është esenca. Mjerisht, mjerisht”, ka shtuar më tej ky banor.
Për vonesat e projektit, Komuna e Prishtinës në të kaluarën kishte përmendur bllokimin e buxhetit nga Qeveria e Kosovës, ndërsa si një tjetër pengesë ishin përmendur edhe problemet pronësore.
Drejtoresha e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Zyhrije Pllana, kishte deklaruar më herët se çështjet pronësore ishin zgjidhur dhe se punimet do të përfundonin së shpejti.
Megjithatë, projekti ende nuk është përmbyllur, ndërsa banorët vazhdojnë të jetojnë pranë kolektorit dhe të përballen me problemet që ai shkakton.
Në një përgjigje për Telegrafin, Pllana ka konfirmuar se çështjet pronësore tashmë janë zgjidhur, ndërsa ka bërë të ditur se kolektori pritet të përfundojë deri në fund të dhjetorit të vitit 2026.
“Punimet për ndërtimin e kolektorit në lagjen Kalabria kanë filluar. Për shkak të disa kontesteve pronësore, procesi ka pësuar disa vonesa. Megjithatë, jemi në kontakt të vazhdueshëm me Drejtorinë e Pronës dhe besojmë se këto pengesa tashmë janë tejkaluar. Nëse çdo gjë shkon sipas planit, punimet pritet të përmbyllen deri në fund të muajit dhjetor 2026”, tha Pllana.
Deri në përfundimin e punimeve, kolektori vazhdon të mbetet një problem i përditshëm për banorët e Kalabrisë.
Telegrafi do të vazhdojë ta përcjellë këtë çështje deri në zgjidhjen e problemit. /Telegrafi/