Ish-ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Krenar Lloga, ka analizuar rrethanat e krijimit dhe mundësisë së shfuqizimit të Gjykatës Speciale, informon Telegrafi Maqedoni.
Lloga ka sqaruar në mënyrë juridike hapat e themelimit të kësaj gjykate për të cilën janë dashur edhe votat e deputetëve nga pakicat.
“Pas aktgjykimit të shkallës së parë, është e kuptueshme që në Kosovë dhe hapsirat shqiptare të rikthehet debati për Dhomat e Specializuara: si u krijuan, kush i krijoi dhe nëse mund të zhbëhen sot. Para vlerësimeve politike, është e nevojshme të shqyrtohet kuadri kushtetues.Dhomat e Specializuara nuk u krijuan përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe as sipas modelit të ICTY-së. Ato u përfshinë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës përmes votimit të Kuvendit të Kosovës.Më 26 qershor 2015, amendamenti kushtetues për Dhomat e Specializuara nuk mori numrin e nevojshëm të votave: 75 deputetë votuan pro, 7 kundër dhe 2 abstenuan. Më 3 gusht 2015 u zhvillua një votim i ri. Rezultati ishte 82 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim.Me Vendimin nr. 05-V-139 u miratua Amendamenti XXIV dhe në Kushtetutë u shtua neni 162, me titull “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”. Ky nen përbën bazën kushtetuese të institucionit.Shumica e dyfishtë kushtetueseNeni 144 i Kushtetutës nuk lejon ndryshimin e saj vetëm me shumicën e zakonshme parlamentare. Për miratimin e një amendamenti kërkohen njëkohësisht:- 2/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit, pra së paku 80 nga 120;- 2/3 e deputetëve që mbajnë vendet e garantuara për komunitetet joshumicë, pra së paku 14 nga 20. (Dmth minimum edhe 4 serb)Pas kontestimit të votimit të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Amendamenti XXIV ishte miratuar me shumicën e posaçme të kërkuar nga neni 144(2).Kjo do të thotë se Dhomat e Specializuara nuk u krijuan vetëm me 82 vota, por përmes shumicës së dyfishtë kushtetuese, e cila përfshinte edhe votat e përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë”, sqaron Lloga.
Ai sqaron se për çdo ndryshim do të ishin të nevojshme sërish edhe votat e deputetëve joshumicë, së paku 14 nga 20.
“Edhe nëse në të ardhmen do të ekzistonte mbështetje e gjerë për ndryshimin ose heqjen e nenit 162, do të kërkohej përsëri shumica e posaçme e deputetëve të komuniteteve joshumicë: së paku 14 nga 20. Pa këtë shumicë, ndryshimi kushtetues nuk do të mund të miratohej.Rrugët e ankimit dhe struktura gjyqësoreNeni 162 përcakton se Dhomat e Specializuara themelohen “në kuadër të sistemit të drejtësisë të Kosovës”. Organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i tyre rregullohen nga ky nen dhe nga një ligj i posaçëm. (Ligji nr. 05/L-053.) Ligji nuk krijon vetëm një trup gjykues të shkallës së parë. Ai përcakton një strukturë të plotë gjyqësore:- Dhoma e Gjykatës Themelore;- Dhoma e Gjykatës së Apelit;- Dhoma e Gjykatës Supreme;- Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese për çështjet kushtetuese.Për këtë arsye, aktgjykimi i shkallës së parë nuk shënon përfundimin e procesit. Ligji parashikon mundësinë e ankimit dhe kompetencën e Panelit të Gjykatës së Apelit. Në kushtet e përcaktuara nga ligji, mund të jenë të disponueshme edhe kompetencat e Gjykatës Supreme dhe mjetet e jashtëzakonshme juridike. Për proceset që tashmë janë pjesë e këtij sistemi, rruga kryesore procedurale kalon përmes mjeteve të ankimit, veçanërisht përmes Apelit. Në këtë fazë, rëndësi kanë provat, standardi i përgjegjësisë individuale, gabimet e mundshme juridike dhe faktike, arsyetimi i aktgjykimit dhe respektimi i të drejtave të mbrojtjes”, shkruan Lloga.
Në përfundim të analizës së tij, Lloga shkruan se shfuqizimi i kësaj gjykate është politikisht dhe ligjërisht i pamundur, prandaj Kosova duhet tashmë të fokusohet tek sfidat e mbrojtjes ligjore brenda Dhomave të Specializuara.
Detyrimet ndërkombëtare-Arkitektura e Dhomave të Specializuara mbështetet jo vetëm në aktet kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, por edhe në marrëveshje dhe zotime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian.Më 14 prill 2014, Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan marrëveshjen për vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX. Kjo marrëveshje krijoi bazën për praninë dhe ushtrimin e kompetencave të misionit në Kosovë dhe u plotësua e u zgjat më vonë përmes marrëveshjeve të tjera. Po atë ditë u nënshkrua edhe marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në punën e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ajo përcaktoi bazën e bashkëpunimit për funksionimin e këtij mekanizmi, përfshirë mbështetjen administrative, financiare dhe teknike.Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian u angazhua të mbështeste funksionimin e Dhomave të Specializuara, ndërsa Republika e Kosovës mori përsipër të krijonte kushtet juridike dhe institucionale për ushtrimin e mandatit të tyre. Këto marrëveshje nuk e zëvendësuan Kushtetutën e Kosovës, por u bënë pjesë e kornizës së bashkëpunimit ndërkombëtar mbi të cilën u mbështet funksionimi i institucionit. Më 15 dhjetor 2015, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi vendimin për krijimin e Zyrës së BE-së për Mbështetjen e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ky vendim mundësoi financimin dhe mbështetjen e tyre përmes buxhetit të përbashkët të BE-së. Mandati dhe financimi u vazhduan më pas përmes vendimeve të tjera të Këshillit të BE-së.Për rrjedhojë, çdo përpjekje për ndryshimin e këtij mekanizmi do të duhej të merrte parasysh jo vetëm procedurën kushtetuese të Kosovës, por edhe pasojat juridike dhe politike të marrëveshjeve dhe zotimeve ndërkombëtare.Mundësia e ndryshimit dhe proceset ekzistuese!? Ndryshimi i arkitekturës kushtetuese të Dhomave të Specializuara është teorikisht i mundur, por politikisht dhe ligjërisht jashtëzakonisht i vështirë ose thuajse i pamundur, për shkak të shumicës së kualifikuar prej dy të tretave që kërkohet, përfshirë votat e deputetëve nga komunitetet joshumicë (minimum rdhe votat e 4 deputetëve serb). Prandaj, debati publik në Kosovë duhet të zhvendoset nga përpjekjet për zhbërjen e Gjykatës te sfidat e mbrojtjes ligjore që po zhvillohen brenda sistemit ekzistues të Dhomave të Specializuara./Telegrafi