Një emër i ri po i bashkohet skenës së boksit në Kosovë. Aleksandër Gula është trajneri që së fundmi ka nisur aktivitetin e tij në vend, duke hapur klubin e boksit “Gula Boxing” në Fushë Kosovë.
Me një përvojë të madhe në këtë sport, Gula vjen nga Selaniku i Greqisë në Kosovë, ndërsa tashmë gjithë angazhimin e tij e ka përqendruar në zhvillimin e boksit përmes klubit të tij të ri.
Trajneri Gula është i licencuar në Federatën e Boksit të Kosovës dhe tashmë ka nisur punën me boksierë të rinj, duke synuar aftësimin dhe përgatitjen e tyre sa më profesionale.
Krahas talenteve të rinj, në “Gula Boxing” punohet edhe me boksierë me përvojë, me synimin për t’i ndihmuar ata në përgatitjen e tyre.
Gula ka bërë të ditur se gjithë përvojën e fituar gjatë viteve në këtë sport do të mundohet ta vërë në shërbim të boksit kosovar, duke synuar zbulimin dhe zhvillimin e sa më shumë talenteve të rinj.
Numri i boksierëve që po i bashkohen “Gula Boxing” është në rritje të vazhdueshme, ndërsa për përgatitjen e tyre po kujdeset Aleksandër Gula, djaloshi me prejardhje nga Elbasani, i cili tashmë ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij në Kosovë.
Me përvojën e tij dhe me një projekt të fokusuar në zhvillimin e boksierëve të rinj, “Gula Boxing” synon të bëhet një tjetër adresë ku talentet kosovarë mund të punojnë dhe të përgatiten në mënyrë profesionale./Telegrafi/