“Dashuria tregohet me vepra. Nëse me të vërtetë doni ta shihni Maqedoninë në Bashkimin Evropian, shpresoj që këtë ta tregojmë duke ecur së bashku përpara – me mbështetje”, tha kryetarja e LDP dhe deputetja Monika Zajkova në Sofje, menjëherë para fjalimit të saj, duke reaguar ndaj paraqitjes së eurodeputetit Andrej Kovaçev, i cili tha se Bullgaria e sheh Maqedoninë me dashuri dhe me të vërtetë dëshiron ta shohë si anëtare të BE.
Zajkova theksoi se pas më shumë se dy dekadash premtime evropiane, Ballkanit Perëndimor nuk i duhen më deklarata të reja për perspektivë evropiane, por vendime konkrete që tregojnë se reformat dhe obligimet e përmbushura sjellin përparim real.
“Në Selanik në vitin 2003 Ballkani Perëndimor mori perspektivë të qartë evropiane. Fëmija i lindur atëherë sot ka 23 vjet. Një gjeneratë e tërë u rrit duke dëgjuar: Evropa është e ardhmja juaj. Nuk dua më të flasim për atë që Evropa do të bëjë një ditë në të ardhmen. Dua të flasim për atë që mund të bëjmë sot”, theksoi Zajkova.
Ajo nënvizoi se qytetarët e Maqedonisë kërkojnë proces në të cilin pas çdo obligimi të përmbushur vjen lëvizja e merituar, dhe shtoi: “Qytetarët tanë nuk janë të lodhur nga reformat. Janë të lodhur nga reformat pa rezultate. Nëse prej tyre kërkojmë vendime të vështira, reforma dhe kompromise, atëherë kemi obligim të tregojmë se përmbushja e kushteve sjell përparim të dukshëm.”
“Në të kundërtën, vuan besimi”, tha Zajkova.
Sipas saj, Ballkani duhet më në fund ta braktisë logjikën politike “kush kë mund të bllokojë” dhe të fillojë të mendojë se si suksesi i një shteti mund të kontribuojë për suksesin dhe sigurinë e fqinjëve dhe të gjithë Evropës.
“Në vend që vazhdimisht të pyesim kush kë mund të bllokojë, të fillojmë të pyesim: si mund të ndihmojmë njëri‑tjetrin të bëhemi më të fortë? Si suksesi i Bullgarisë mund t’i ndihmojë Maqedonisë dhe si suksesi i Maqedonisë mund ta bëjë Bullgarinë, Ballkanin dhe Evropën më të fortë? Maqedonia prosperuese, demokratike dhe evropiane është në interes të Bullgarisë, ashtu siç Bullgaria prosperuese dhe e suksesshme është në interesin tonë”, tha Zajkova.
Ajo theksoi se gabimi më i madh strategjik për rajonin do të ishte që shtetet të vazhdojnë ta përjetojnë përparimin e fqinjit si humbje të vetën.
“Mund të jemi emocionalë. Mund të shohim ndryshe pjesë të së kaluarës. Por nuk duhet që dallimet për të kaluarën të na e marrin mundësinë të ndërtojmë së bashku një të tashme më të mirë”, nënvizoi Zajkova.
Në fjalimin e saj ajo propozoi edhe tre hapa konkretë me të cilët integrimi evropian do të bëhej i dukshëm edhe para anëtarësimit formal: pjesëmarrje e strukturuar urgjente pa të drejtë vote e deputetëve nga vendet kandidate në komisionet relevante të Parlamentit Evropian në fazë kalimtare, mbikëqyrje më e fortë parlamentare mbi përmbushjen e obligimeve nga integrimi gradual dhe parimi i automatizmit sipas të cilit përmbushja e kritereve të përcaktuara qartë paraprakisht do të sjellë përfitime të përcaktuara qartë paraprakisht.
“Nëse kriteret janë të qarta dhe të përmbushura, duhet të pasojë rezultat. Jo reformë sot, e pesë vite më vonë përsëri debat politik nëse do ta marrim përfitimin që na ishte premtuar. Evropa duhet ta rivendosë lidhjen mes meritës dhe përparimit”, tha Zajkova.
Si kryetare e lëvizjes liberale të Evropës Juglindore, Zajkova theksoi se bashkëpunimi rajonal i ka treguar se suksesi i fqinjit nuk është kërcënim, por mundësi.
“Kur ndonjë nga kolegët e mi si Ilhan, Vlad, Dan Barna dhe të tjerë në rajon arrijnë sukses, unë tek ata nuk shoh konkurrent. Shoh partner. Vetëm imagjinoni nëse kjo bëhet instinkt politik i gjithë Ballkanit – në vend që të investojmë energji në atë si të ndalojmë njëri‑tjetrin, të investojmë në atë si të përparojmë së bashku”, shtoi Zajkova.