Për herë të parë në Kosovë, profesionistë të industrisë së Hollywood-it po sjellin përvojën dhe standardet e produksioneve ndërkombëtare te të rinjtë dhe profesionistët kosovarë. UBT ka lansuar bashkëpunimin me Catalyst Story Institute, institucion amerikan i specializuar në zhvillimin e talenteve dhe përgatitjen profesionale për industrinë e filmit dhe televizionit, duke sjellë në Kosovë një mundësi të re për të gjithë ata që ëndërrojnë të bëhen pjesë e kësaj industrie.
Përmes këtij bashkëpunimi, profesionistë me përvojë në produksione të njohura ndërkombëtare, përfshirë profesionistë që kanë punuar me studio si HBO, Netflix dhe Warner Bros., do të ofrojnë trajnime dhe specializime në Prishtinë, me synimin për të përgatitur talentet lokale për mundësi reale pune në produksione filmike dhe televizive.
Kjo mundësi është veçanërisht e rëndësishme për studentët dhe të rinjtë që studiojnë në fushat e regjisë, arteve, arteve dramatike, aktrimit, artit dhe medias digjitale, kinematografisë, medias, komunikimit dhe produksionit.
Programi fillestar “Hollywood 101” zgjat 13 javë dhe i njeh pjesëmarrësit me mënyrën se si funksionon një produksion i Hollywood-it: strukturën e industrisë, kontratat dhe biznesin, audicionet dhe intervistat, procedurat kreative, dokumentacionin, sigurinë në set, buxhetet, pagesat dhe terminologjinë profesionale të produksionit.
Pas përfundimit të këtij moduli, pjesëmarrësit mund të orientohen drejt specializimeve të ndryshme, si aktrimi, shkrimi, regjia, kinematografia, montazhi, animacioni, produksioni, biznesi, juridiku, kontabiliteti dhe profesionet teknike të produksionit. Ky bashkëpunim vjen në një moment kur Kosova dhe rajoni po bëhen gjithnjë e më interesante për produksionet ndërkombëtare.
Megjithatë, një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e profesionistëve të trajnuar për shumë prej roleve që kërkon një produksion modern. Përmes trajnimeve, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndërtojnë aftësi praktike, të kuptojnë standardet profesionale të industrisë dhe të krijojnë një rrjet bashkëpunëtorësh që mund t’u shërbejë gjatë gjithë karrierës së tyre.
Një tjetër mundësi e rëndësishme vjen përmes bashkëpunimit me BoyHouse Studio, përmes të cilit do të ndahen grante zhvillimore për studentët më të dalluar. Përfituesit do të kenë gjithashtu mundësi për takime që lidhen me përfaqësimin nga agjenci dhe mentorim nga profesionistë të industrisë.
Në këtë mënyrë, iniciativa synon të krijojë një rrugëtim të plotë për talentet: nga trajnimi, te rrjeti profesional, mentorimi dhe mundësitë konkrete për zhvillimin e karrierës.