Zyrtari më i lartë ushtarak gjerman, gjenerali Carsten Breuer, ka paralajmëruar se shtetet evropiane nuk mund të përgatiten për konflikte të mundshme në të ardhmen vetëm duke forcuar ushtritë dhe blerë armë të reja.
Ai tha se mbrojtja duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë, nga industria dhe infrastruktura, te institucionet civile dhe qytetarët.
Breuer, inspektor i përgjithshëm i Bundeswehrit, pra zyrtari më i lartë profesional ushtarak i Gjermanisë, foli të mërkurën në mbrëmje në Samitin e Mbrojtjes të IISS në Pragë. Bëhet fjalë për një konferencë treditore ku më shumë se 250 zyrtarë politikë dhe ushtarakë, përfaqësues të industrisë së mbrojtjes dhe analistë diskutojnë për mbrojtjen e Evropës.
“Pa ju, ne ushtarët jemi të dënuar të dështojmë. Por dështimi nuk është opsion”, tha Breuer, duke iu drejtuar pjesës civile të shoqërisë, raporton Bild.
Ai paralajmëroi se dështimi në mbrojtje mund të rrezikojë seriozisht shoqëritë evropiane në formën që ekzistojnë sot.
Rusia mëson, imiton dhe përshtatet
Një pjesë e madhe e fjalimit të Breuerit iu kushtua ndryshimeve të shpejta në mënyrën moderne të zhvillimit të luftës. Ai tha se strategjia ushtarake sot fillon të vjetrohet pothuajse sapo të shkruhet, pasi teknologjia dhe mënyra e përdorimit të saj ndryshojnë jashtëzakonisht shpejt.
Si shembullin më të rëndësishëm, ai përmendi luftën në Ukrainë. Sipas Breuerit, ushtritë perëndimore duhet të mësojnë nga përvoja ukrainase, por në të njëjtën kohë duhet të llogarisin se të njëjtën gjë po e bën edhe Rusia.
“Rusia mëson. Ata imitojnë dhe përshtaten”, tha ai, duke theksuar se Moska po zhvillon mënyra për të anashkaluar avantazhet e ushtrive perëndimore. Ai paralajmëroi gjithashtu se epërsia teknologjike nuk është e përhershme dhe se ai që sot është përpara kundërshtarit, shumë shpejt mund të mbetet prapa.
IISS, pas fjalimit të tij, veçoi pikërisht këtë mesazh. Breuer paralajmëroi se teknologjia nuk duhet të përcaktojë strategjinë ushtarake, por ushtria duhet të vendosë se si do ta përdorë teknologjinë e re. Sipas IISS, ai theksoi nevojën për përshtatje të vazhdueshme dhe zbatimin sa më të shpejtë të ndryshimeve.
Gjermania po përgatitet për një skenar krejtësisht tjetër
Deklaratat e Breuerit janë pjesë e ndryshimit të madh në politikën gjermane të mbrojtjes pas pushtimit rus të Ukrainës.
Në prill të këtij viti, Bundeswehr-i prezantoi strategjinë e parë gjithëpërfshirëse ushtarake në historinë e tij. Në dokumentet zyrtare, Rusia përshkruhet si kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane, ndërsa Gjermania synon të rrisë ndjeshëm numrin e ushtarëve aktivë dhe rezervistëve dhe të zgjerojë kapacitetet e forcave tokësore, ajrore, detare dhe kibernetike.
Breuer prej kohësh paralajmëron se, sipas vlerësimeve të ushtrisë gjermane, Rusia deri në vitin 2029 mund të krijojë kapacitet për një sulm të madh konvencional ndaj territorit të NATO-s.
Kjo nuk do të thotë se Rusia do ta sulmojë NATO-n në atë kohë, por është një vlerësim se kur ajo mund të ketë mjaftueshëm njerëz dhe pajisje ushtarake për një operacion të tillë. Breuer tha në maj se vlerësimi bazohet, ndër të tjera, në rritjen e forcave të armatosura ruse, prodhimin e armatimeve dhe krijimin e strukturave të reja ushtarake të orientuara drejt perëndimit.
Javën e kaluar, në një intervistë për transmetuesin gjerman ARD, ai përsëriti se Gjermania duhet të ndërtojë deri në vitin 2029 kapacitetet e nevojshme për t’iu përgjigjur një sulmi të mundshëm dhe paralajmëroi për aktivitetet hibride ruse.
Çfarë do të thotë që duhet të përfshihet “e gjithë shoqëria”?
Kjo nuk është vetëm një frazë politike. Planet ushtarake gjermane parashikojnë që, në rast të një konflikti të madh, vendi të shndërrohet në një nga bazat kryesore logjistike të NATO-s.
Sipas planit zyrtar Operationsplan Deutschland, në rast nevoje, brenda gjashtë muajve përmes Gjermanisë mund të transportohen deri në 800 mijë ushtarë aleatë dhe 200 mijë automjete drejt krahut lindor të NATO-s.
Për këtë do të nevojiteshin hekurudhat, autostradat, portet, aeroportet, depot, karburanti, spitalet, objektet e akomodimit dhe kompanitë logjistike.
Për këtë arsye, Bundeswehr-i thekson qartë se një operacion i tillë nuk mund të realizohet nga ushtria pa autoritetet civile dhe kompanitë private. /Telegrafi/