Sara Hoxha po nis një kapitull të ri në televizion, këtë herë si moderatore.
Nga e diela, 20 shtator, ajo do të jetë në drejtimin e rubrikës së re “Me Gjithë Zemër”, pjesë e programit “E Diell” në Top Channel.
Ky është një tjetër hap në eksperiencën e saj televizive.
Foto: YouTube
Sara u bë e njohur edhe përmes pjesëmarrjes në “Dancing With The Stars”, ku u shpall fituese së bashku me balerinin Luixhino Hala.
Më pas, ajo iu bashkua “E Diell” si anëtare e jurisë së rubrikës “She’s On Top”, gjersa në vitin 2023 provoi edhe aktrimin në filmin “Në Kuadër të Dashurisë”.
Tashmë, Sara rikthehet në “E Diell”, por këtë herë në një rol krejtësisht të ri, duke debutuar si moderatore.
Rubrika pritet të fokusohet te historitë njerëzore dhe emocionet, ku publiku mund të ndajë mesazhe për të falënderuar dikë, për të kërkuar falje apo për të organizuar surpriza për njerëzit e dashur.
Gjithashtu, pjesë e rubrikës do të jenë edhe momente të veçanta, si propozimet për martesë dhe surprizat emocionale. /Telegrafi/