Portieri i Barcelonës, Joan Garcia, pritet të mungojë për rreth tri javë pasi ka pësuar një lëndim në meniskun e gjurit të djathtë, raporton mediumi katalunas 3cat.
Gardiani spanjoll e nisi nga minuta e parë ndeshjen e Barcelonës ndaj Racing Santanderit, por nuk arriti ta përfundojë atë.
Garcia ndjeu shqetësime në gjurin e djathtë dhe u zëvendësua në pushimin mes pjesëve, në një ndeshje që katalunasit e fituan me rezultat të thellë 7-2.
Pas ekzaminimeve mjekësore, është konfirmuar se 25-vjeçari ka pësuar një dëmtim në menisk, që pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth tri javë.
Kjo do të thotë se Garcia do ta humbasë ndeshjen e fundjavës në La Liga ndaj Sevillas. Portieri gjithashtu nuk do të jetë në dispozicion të përfaqësueses së Spanjës për ndeshjet e Ligës së Kombeve gjatë këtij grumbullimi.
Megjithatë, Barcelona ka marrë edhe një lajm pozitiv lidhur me gjendjen e tij. Sipas raportimeve, mjekët e klubit kanë përjashtuar mundësinë që Garcia t’i nënshtrohet një operacioni.
Nëse rikuperimi i tij shkon sipas planit, portieri spanjoll pritet të jetë sërish në dispozicion të Barcelonës pas përfundimit të pauzës së kombëtareve./Telegrafi/