Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka bërë sërish një reagim në rrjetet sociale, për shkak të verdiktit në Hagë nga gjykata e cila dënoi katër ish-krerët e UÇK-s.
Artistja ka rishpërndarë një postim të babait të saj, Dukagjin Lipa, i cili shkroi për sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke vlerësuar po ashtu idealin e mijëra të rinjve dhe të rejave që dhanë jetën për liri.
“Liria është fitu me gjak. Me gjakun e dëshmorëve që dhanë jetën për liri. Askush nuk ka të drejtë ta njollosë luftën tonë për liri. Askush nuk ka të drejtë të njollosë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe idealin e mijëra të rinjve e të rejave që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot. UÇK është dhe gjithmonë do të mbetet simbol i lirisë dhe pavarësisë sonë. Liria ka emër”, thuhet në postimin e shpërndarë nga dyshja.
Foto: Dua Lipa / Instagram
Artistja shqiptare, ka reaguar edhe më herët për vendimin e gjykatës në Hagë, duke shpërndarë logon e UÇK-së dhe po ashtu statistikat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Reagim për vendimin ka bërë edhe Rita Ora e cila po ashtu është ambasadore nderi e shtetit.
Dy artistet kanë qenë zëra të Kosovës në arenën ndërkombëtare duke promovuar Kosovën dhe gjuhën shqipe ndër vite gjatë paraqitjeve të tyre televizive.