Logoja e Lamborghini-t është një nga simbolet më të njohura në industrinë e automobilëve: e zezë dhe e artë, me “Demin e Tërbuar” në qendër. Por kjo logo nuk ka qenë gjithmonë e tillë.
Historia nis përpara se Lamborghini të bëhej prodhues i makinave sportive. Kompania e Ferruccio Lamborghini-t ishte fillimisht e njohur për traktorët, ndërsa Lamborghini Trattori vazhdon të ekzistojë edhe sot.
1952 – Nga traktorët te simboli i parë
Logoja e parë e Lamborghini-t ishte shumë larg asaj që njohim sot. Ajo ishte një emblemë trekëndore me inicialet FLC, që nënkuptonin “Ferruccio Lamborghini Cento”.
Versione të ndryshme të kësaj logoje u përdorën ose u propozuan gjatë viteve, por asnjëra nuk kishte lidhje me demin që më vonë do të bëhej simboli i markës.
1963 – Lind “Demi i Tërbuar”
Më 7 maj 1963, Ferruccio Lamborghini themeloi Automobili Lamborghini në Sant’Agata Bolognese të Italisë.
Për logon e kompanisë së re, ai iu drejtua tipografit vendas Paolo Rambaldi. Kështu lindi demi, transmeton Telegrafi.
Ferruccio kishte lindur nën shenjën e Demit, ndërsa Lamborghini thotë se simboli lidhej edhe me një shprehje që ai përdorte për të përshkruar veten: “tamugno come un toro” – “i fortë si një dem”.
Logoja e parë e makinave Lamborghini kishte një dem të bardhë mbi sfond të kuq.
1972 – Logoja e zezë dhe e artë
Pikërisht në vitin 1972 Lamborghini prezantoi versionin që do të bëhej ikonë: Demi i artë mbi sfond të zi, me emrin Lamborghini në pjesën e sipërme. Kjo emblemë u bë identiteti vizual i markës për dekada.
1990 – Argjendi zëvendëson arin
Me prezantimin e Diablo-s në vitin 1990, Lamborghini ndryshoi edhe logon. Forma u bë më e pastër dhe demi më i detajuar, ndërsa ngjyra e artë u zëvendësua nga argjendi. Ky version qëndroi deri në vitin 1998.
1998 – Ari rikthehet
Në vitin 1998, pas blerjes së Lamborghini-t nga Volkswagen Group përmes Audi-t, marka riktheu kombinimin tradicional të zi dhe të artë.
Logoja u modernizua dhe për herë të parë u dizajnua plotësisht nga departamenti i brendshëm Centro Stile.
2024 – Demi hyn në epokën moderne
Në vitin 2024 Lamborghini prezantoi ndryshimin më të madh të logos në dekada.
Demi u bë më minimalist, ngjyra e artë u zbut, ndërsa silueta dhe shkrimi “Lamborghini” u thjeshtuan. Kompania e përshkroi dizajnin si më modern dhe minimalist, pa elemente të ngritura dhe me më pak detaje.
Nga një logo e thjeshtë e një kompanie traktorësh në vitet ’50, deri te një nga simbolet më të fuqishme të industrisë së supermakinave, Demi i Lamborghini-t ka mbetur elementi që lidh të gjitha epokat e markës. /Telegrafi/