Massimo Moratti ka zbuluar se në vitin 2012 kishte bërë një ofertë të jashtëzakonshme për ta transferuar Lionel Messin te Interi. Ish-presidenti i klubit italian kishte ofruar 500 milionë euro për ta larguar argjentinasin nga Barcelona, por përpjekja nuk arriti as në fazën e negociatave.
Sipas gazetës katalanase Sport, Moratti kujtoi se dërgoi nënkryetarin e Interit në Barcelonë për t’ia paraqitur ofertën Messit.
Megjithatë, ylli argjentinas nuk e hapi fare letrën dhe e refuzoi propozimin pa e ditur shumën e ofruar.
“Bëra diçka të çmendur në vitin 2012, i bëra Messit një ofertë prej 500 milionë eurosh. Në atë kohë, kjo shifër ishte e çmendur. Dërgova nënkryetarin e Interit në Barcelonë për të negociuar, por Messi as që e hapi letrën dhe nuk e dinte vlerën e ofertës. E refuzoi pa i ditur detajet”, ka rrëfyer Moratti.
Kur të dy patën mundësinë të bisedonin, Messi ia bëri të qartë Morattit se dëshironte të qëndronte te Barcelona.
“E vlerësoj interesimin tuaj për mua, por dua ta përfundoj karrierën te Barcelona”, i kishte thënë argjentinasi.
Messi u largua nga Barcelona vetëm në vitin 2021, kur klubi nuk arriti t’ia rinovonte kontratën për shkak të krizës financiare.
Ai kaloi te Paris Saint-Germain si lojtar i lirë, ndërsa më vonë iu bashkua Inter Miamit në Shtetet e Bashkuara, pa e realizuar ëndrrën për ta mbyllur karrierën me fanellën e klubit katalanas.
Argjentinasi kaloi pjesën më të madhe të karrierës te Barcelona, ku u bë lojtari më i madh në historinë e klubit dhe fitoi shumë trofe./Telegrafi/