Bashkimi Evropian ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me Kanadanë, pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se Ottawa është ftuar të bëhet “anëtari i parë i asociuar” i BE-së. Propozimi krijon një formë të re bashkëpunimi politik dhe ekonomik, ndërsa detajet mbi të drejtat dhe detyrimet e këtij statusi ende nuk janë përcaktuar.
Von der Leyen e bëri njoftimin të mërkurën gjatë fjalimit të saj për Gjendjen e Bashkimit Evropian 2026, në Strasburg, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri kanadez, Mark Carney.
“Dua të punoj me ju për t’i hapur derën Kanadasë që të bëhet anëtari i parë i asociuar i Bashkimit Evropian”, tha von der Leyen.
Ajo theksoi se BE-ja dhe Kanadaja ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta, transmeton Telegrafi.
“Ne ndajmë një oqean, një grup vlerash dhe një mënyrë të përbashkët për ta parë botën. Tani do të ndërtojmë së bashku edhe të ardhmen tonë”, deklaroi ajo.
“Anëtarësimi i asociuar” nuk është një kategori ekzistuese standarde e anëtarësimit në BE dhe, për këtë arsye, mbeten ende shumë pyetje rreth mënyrës se si do të funksiononte ai.
Një nga çështjet kryesore është nëse Kanadaja do të kishte ndonjë rol në proceset vendimmarrëse të institucioneve evropiane apo të drejtë vote. Vende si Norvegjia dhe Zvicra kanë marrëdhënie shumë të ngushta me BE-në dhe qasje në pjesë të tregut të përbashkët, por nuk kanë të drejtë vote mbi legjislacionin e BE-së.
Propozimi i ri vjen në një moment kur Kanadaja po kërkon marrëdhënie më të ngushta me Evropën. Kryeministri Mark Carney ka folur më herët për krijimin e një “aleance unike” me BE-në.
Von der Leyen propozoi gjithashtu një partneritet të ri me Otavën që do të shtrihej përtej tregtisë.
Ai mund të përfshijë teknologjinë, inteligjencën artificiale, mbrojtjen, energjinë, mineralet kritike dhe projekte të përbashkëta në Arktik.
“Ne do të kalojmë nga CETA drejt një Aleance për të Ardhmen, për të krijuar një hapësirë të përbashkët të prosperitetit dhe sigurisë ekonomike”, tha ajo, duke iu referuar marrëveshjes së tregtisë së lirë BE-Kanada.
Bashkëpunimi pritet të diskutohet më tej në samitin BE-Kanada që do të mbahet në Montreal më 29 dhe 30 tetor. Komisioni Evropian e ka përshkruar Kanadanë si një partner strategjik dhe të afërt të BE-së.
Afrimi nuk nis nga zero. Kanadaja tashmë është e asociuar me Pillar II të programit Horizon Europe, duke u dhënë studiuesve dhe organizatave kanadeze mundësinë të marrin pjesë në projekte të programit në kushte të barabarta me partnerët e BE-së.
Sipas burimeve të cituara nga Euronews, Ottawa dhe Brukseli po diskutojnë gjithashtu pjesëmarrjen kanadeze në programe të tjera evropiane, përfshirë Erasmus+, financimet e kërkimit përmes Horizon Europe dhe njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale.
Kjo e bën propozimin e ri një hap potencialisht më të gjerë se marrëveshjet ekzistuese sektoriale.
Njoftimi vjen në një periudhë kur marrëdhëniet e Kanadasë me Shtetet e Bashkuara janë përkeqësuar ndjeshëm për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare dhe tarifave amerikane. Vizita e Carney-t në Evropë dhe pjesëmarrja e tij në fjalimin e von der Leyen vijnë në këtë kontekst.
Për BE-në, afrimi me Kanadanë lidhet jo vetëm me tregtinë, por edhe me sigurinë ekonomike, mbrojtjen, burimet kritike, teknologjinë dhe Arktikun, një rajon me rëndësi në rritje strategjike.
“Evropa dhe Kanadaja besojnë në demokraci. Pushteti nuk u përket më të fortëve, më të pasurve apo atyre që bërtasin më shumë, por të gjithëve ne”, tha von der Leyen.
Megjithatë, propozimi është ende në fazën fillestare. Nuk është përcaktuar ende se çfarë kompetencash konkrete do të kishte një “anëtar i asociuar”, çfarë detyrimesh do të merrte përsipër Kanadaja dhe deri ku do të shtrihej përfshirja e saj në institucionet e BE-së.
Nëse modeli konkretizohet, Kanadaja do të bëhej partneri i parë që merr këtë status të ri, duke krijuar një format marrëdhëniesh që mund të shërbejë edhe si precedent për mënyrën se si BE-ja bashkëpunon me shtete të tjera jashtë Unionit. /Telegrafi/