Shtetet e Bashkuara po planifikojnë një marrëveshje të re armësh me Izraelin, që përfshin rreth 40 mijë bomba të fuqishme dhe ka një vlerë prej 2.8 miliardë dollarësh, rreth 2.42 miliardë euro.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një personi të njohur me planin, të cilët folën në kushte anonimiteti, paketa përfshin bomba ajrore Mk84 dhe BLU-117, me peshë 900 kilogramë secila.
Bëhet fjalë për të njëjtën kategori municionesh që kishte shkaktuar shqetësime gjatë administratës së Joe Biden për shkak të rrezikut të viktimave të shumta civile në zonat e dendura të banuara të Gazës.
Dërgesa e këtyre bombave ishte vendosur në pritje nga administrata Biden rreth dy vjet më parë, pikërisht për shkak të shqetësimeve lidhur me përdorimin e tyre në Gaza.
Pas rikthimit në detyrë, administrata Trump e hoqi këtë pezullim, duke hapur rrugën për furnizimin e mëtejshëm të Izraelit me këto municione.
Kongresi amerikan është informuar në mënyrë joformale për marrëveshjen e propozuar, transmeton Telegrafi.
Pjesa më e madhe e saj pritet të financohet përmes programit amerikan të financimit ushtarak të huaj, përmes të cilit fondet e taksapaguesve amerikanë i jepen Izraelit, i cili më pas i përdor për të blerë armë nga SHBA-ja.
Marrëveshja e re është pjesë e një serie hapash të administratës Trump për të forcuar kapacitetet ushtarake të Izraelit.
Konflikti në Gaza ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima palestineze dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në enklavë. Edhe pse SHBA-ja ka ndërmjetësuar një armëpushim të brishtë, dhuna ka vazhduar.
Marrëveshja vjen në një kohë kur Izraeli po përballet me presion dhe izolim ndërkombëtar në rritje për shkak të luftës në Gaza, e cila nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Paketa e re sinjalizon se, pavarësisht raportimeve për tensione mes Presidentit Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, bashkëpunimi ushtarak mes SHBA-së dhe Izraelit vazhdon të jetë i gjerë.
Dy vendet nisën luftën kundër Iranit në shkurt, ndërsa Trump kishte shprehur më herët pakënaqësi ndaj Netanyahut lidhur me konfliktin me Teheranin. Dy liderët u takuan më pas në Shtëpinë e Bardhë në korrik.
Kjo nuk është marrëveshja e parë e madhe e administratës Trump me Izraelin.
Vitin e kaluar, administrata amerikane anashkaloi procesin normal të shqyrtimit në Kongres dhe miratoi një shitje armësh me vlerë rreth 3 miliardë dollarë, e cila përfshinte më shumë se 35,500 bomba.
Në janar, administrata miratoi gjithashtu një seri të re shitjesh armësh për Izraelin, me një vlerë totale prej 6.67 miliardë dollarësh.
Nëse marrëveshja e re prej 2.8 miliardë dollarësh realizohet, ajo do të shtojë edhe 40 mijë bomba të tjera në arsenalin që SHBA po furnizon për Izraelin.