Ndeshja e mbrëmshme ndaj Elches tregoi edhe një herë se Vinicius Junior është ende larg formës së tij më të mirë, ndërsa paraqitjet e Carlos Espi kanë shtuar presionin për një ndryshim në formacionin e Real Madridit.
Vinicius është sërish në qendër të vëmendjes te Real Madridi pas fitores ndaj Elches, ndërsa gazetari i njohur spanjoll Tomas Roncero ka kërkuar që braziliani të ulet në stol dhe që Carlos Espi të marrë mundësinë e tij të parë si titullar nën drejtimin e Jose Mourinhos.
Paraqitja e Viniciusit ndaj Elches la sërish disa pikëpyetje. Sulmuesi mori pjesë në disa aksione ofensive, por ishte jo mjaftueshëm i saktë në pasime dhe nuk arriti t’i shfrytëzojë mundësitë që iu paraqitën.
Ai nuk mundi të bëjë diferencën para se të zëvendësohej, në një moment kur ndeshja po bëhej gjithnjë e më e vështirë për madrilenët.
Në anën tjetër, Carlos Espi po shfrytëzon çdo minutë që i jepet. Sulmuesi hyri sërish nga banka rezervë dhe shënoi golin që i dha Real Madridit fitoren në minutat e fundit ndaj Elches.
Espi kishte qenë vendimtar edhe ndaj Espanyolit, ndërsa edhe në minutat e pakta që luajti kundër Betisit kishte treguar rrezikshmëri në sulm.
Këto paraqitje kanë bërë që Tomas Roncero të kërkojë ndryshime në formacionin e Real Madridit. Gazetari beson se Espi ka bërë mjaftueshëm për ta merituar një startim dhe e ka identifikuar Viniciusin si lojtarin që mund t’i lërë vendin.
Debati vjen në një moment kur braziliani është ende larg shifrave dhe ndikimit që ka treguar në sezonet e kaluara.
Në këtë fillim të sezonit, Vinicius ka alternuar momente të mira me ndeshje ku ka pasur ndikim të kufizuar pranë zonës kundërshtare, ndërsa tifozët në “Santiago Bernabeu” kanë shfaqur gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj tij.
Carlos Espi, 21-vjeçar, iu bashkua Real Madridit këtë verë nga Levante dhe i janë dashur shumë pak minuta për të lënë gjurmë.
Roli i tij deri tani ka qenë kryesisht ai i zëvendësuesit, por paraqitjet e tij kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e ekipit. Ai vendosi ndeshjen ndaj Espanyolit dhe u shfaq sërish në momentin vendimtar kundër Elches.
Sulmuesi kishte shënuar 20 gola në 66 paraqitje me Levanten dhe është lidhur me Real Madridin deri më 30 qershor 2031.
Tashmë diskutimi nuk lidhet vetëm me aftësinë e tij për të dhënë kontribut nga banka rezervë, por edhe me mundësinë që të marrë një vend në formacionin bazë.
Mourinho deri tani ka vazhduar t’i besojë Viniciusit si një prej titullarëve të tij në repartin ofensiv.
Megjithatë, paraqitjet e Espi i kanë dhënë trajnerit portugez një alternativë tjetër, me një sulmues që ofron më shumë prezencë në zonën kundërshtare dhe që po tregohet efikas sa herë që i jepet mundësia.
Derbi ndaj Atleticos mund të sjellë vendimin e Mourinhos
Ndeshja e ardhshme e Real Madridit në La Liga do të jetë derbi ndaj Atletico Madridit, një përballje ku vendimi i Mourinhos për formacionin pritet të jetë edhe më shumë në qendër të vëmendjes.
Trajneri duhet të vendosë nëse do të vazhdojë t’i besojë Viniciusit apo do t’ia shpërblejë formën e fundit Espit me një vend titullari.
Espi po kërkon hapësirë përmes golave dhe paraqitjeve të tij, ndërsa Viniciusi tashmë përballet me sfidën për të rikthyer ndikimin ofensiv që ka pasur në të kaluarën.
Derbi ndaj Atletico Madridit mund të jetë testi i radhës për të parë nëse Mourinho do të vazhdojë me hierarkinë aktuale në sulm apo do të bëjë ndryshime në formacion. /Telegrafi/