Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha ka njoftuar se kanë vazhduar punimet për asfaltimin e rrugës Livadhet e Istogut–Mokne, ku aktualisht po punohet në shtrimin e shtresës së dytë të asfaltit.
Basha ka bërë të ditur se në fazën e dytë të projektit, nga gjithsej 11.9 kilometra, deri tani janë asfaltuar 7.1 kilometra me shtresën e dytë, ndërsa kanë mbetur edhe 4.8 kilometra.
Sipas tij, 1.7 kilometrat e fundit të shtresës së parë, për të cilat ishte njoftuar më 3 shtator, tashmë kanë përfunduar dhe punimet kanë vijuar me shtresën e dytë të asfaltit.
Projekti ka gjatësi totale prej 19.17 kilometrash dhe vlerë investimi prej 3.7 milionë eurosh.
Basha ka thënë se punimet po zhvillohen me dinamikë të mirë dhe se projekti pritet të përfundojë tërësisht brenda këtij viti.
“Po e çojmë deri në fund një projekt të rëndësishëm për qytetarët dhe turizmin malor të Komunës së Istogut, për një rrugë më të sigurt dhe më të mirë të lidhjes drejt Moknes”, ka shkruar Basha. /Telegrafi/