Federata Franceze e Futbollit (FFF) ka konfirmuar zyrtarisht përbërjen e plotë të stafit teknik dhe mbështetës të përzgjedhësin e ri të Kombëtares së Francës, Zinedine Zidane, vetëm tre ditë para publikimit të listës së tij të parë të lojtarëve për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Stafi i Zidanes do të përbëhet nga gjithsej 23 anëtarë. Krahu i djathtë i trajnerit francez do të jetë David Bettoni, bashkëpunëtori i tij prej shumë vitesh, ndërsa përgjegjës për përgatitjen e portierëve do të jetë legjenda e futbollit francez, Fabien Barthez.
Sektori i përgatitjes fizike është përforcuar me afrimin e Arthur Hochedé nga Red Star, i cili do të punojë së bashku me Grégory Dupont, këshilltarin për strategji dhe performancë.
Edhe stafi mjekësor ka pësuar ndryshime. Në këtë sektor, të drejtuar nga mjeku Hervé Collado, janë përfshirë masazhatori Philippe Jamin dhe podologu Serge Isidor.
Ndërkohë, gazetari i njohur francez Xavier Giraudon është emëruar në krye të shërbimit për media, ndërsa Mohamed Sanhadji do të jetë përgjegjës për logjistikën dhe sigurinë e ekipit kombëtar.
Zidane nis aventurën me Francën
Zidane dhe stafi i tij do të debutojnë në stolin e Francës gjatë ndeshjeve të shtatorit në Ligën e Kombeve.
Ndeshjen e parë, “Les Bleus” do ta zhvillojnë më 25 shtator në udhëtim ndaj Turqisë, ndërsa vetëm tri ditë më vonë, më 28 shtator, do të përballen me Belgjikën.
Në fillim të tetorit, Franca do të zhvillojë dy ndeshje në shtëpi. Më 2 tetor do të presë Italinë, ndërsa më 5 tetor do të luajë sërish ndaj Belgjikës, në ndeshjen e kthimit.
Zidane do ta nisë kështu zyrtarisht epokën e tij në krye të Francës, me objektivin për ta rikthyer kombëtaren në majat e futbollit evropian dhe botëror. /Telegrafi/