Një incident i pazakontë ka ndodhur në Kazakistan, ku një mace është bërë shkak i një aksidenti automobilistik, pasi arriti të hyjë në një makinë dhe, në rrethana ende të paqarta, ta vërë atë në lëvizje.
Sipas mediave lokale, macja hyri në automjet përmes një dritareje të hapur. Pak çaste më vonë, ajo arriti të aktivizojë mekanizmin e makinës, duke bërë që automjeti të nisej.
“Arratisja” e pazakontë nuk zgjati shumë. Vetura lëvizi për një distancë të shkurtër dhe pothuajse menjëherë u përplas me një mur.
Pas përplasjes, macja doli nga automjeti dhe u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke u kthyer në protagonisten e një “grabitjeje” të pazakontë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe humor në rrjetet sociale, ndërsa detajet e sakta se si kafsha arriti ta vërë makinën në lëvizje mbeten të paqarta.
Për fat të mirë, incidenti nuk raportohet të ketë shkaktuar të lënduar. Ndërsa “hajdutja” me katër këmbë, pas aksidentit, arriti të largohej e padëmtuar. /Telegrafi/