Kanë mbetur më pak se 24 orë nga shpallja e aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ekipet e Telegrafit janë në terren, duke përcjellë nga afër atmosferën në lagjet ku jetojnë ish-krerët e UÇK-së dhe duke sjellë pamje nga situata që po mbizotëron në orët e fundit para shpalljes së vendimit.
Nga pamjet që sjell ekipi i Telegrafit nga Mitrovica, shihet se lagjja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është e mbushur me flamuj të UÇK-së.
Në këtë zonë është vendosur edhe një pankartë me mbishkrimin “Mirë se vini Çlirimtarë”, në shenjë të pritjes së vendimit që pritet të shpallet nesër në Hagë.
Trupi Gjykues ka caktuar për 16 shtator 2026, në orën 10:00, shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet me 10 minuta vonesë në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe.
Telegrafi do të vazhdojë ta përcjellë këtë ngjarje me raportime drejtëpëdrejtë nga Haga, në kuadër të maratonës së raportimit tashmë të hyrë në 24 orët e fundit para shpalljes së vendimit. /Telegrafi/