Nga: Ray Rasmussen / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
IA-ja [inteligjenca artificiale] është provë mbijetese. Kompanitë të cilat e ridizajnojnë veten rreth IA-së, do ta definojnë ekonominë e ardhshme. Do të zhduken kompanitë të cilat e trajtojnë IA-në thjesht si një tjetër përditësim softuerik. Nuk është fjala për spekulim.
Çdo industri po i afrohet një pike ku modelet e vjetra të biznesit, proceset e vjetruara dhe strukturat tradicionale të karrierës nuk do të jenë më në gjendje të konkurrojnë me organizatat e ndërtuara për IA-në – që nga themelet. Zgjedhja është e thjeshtë: rishpikeni biznesin tuaj tani ose shikoni dikë tjetër duke e zëvendësuar atë.
Shenjat paralajmëruese tashmë janë këtu. Një sondazh i Gartner-it zbuloi se afërsisht dy të tretat e drejtorëve ekzekutivë besojnë se modeli i tyre aktual i biznesit nuk është i përshtatshëm për epokën e IA-së. Kjo duhet të alarmojë çdo punonjës, investitor, klient dhe politikan.
Nëse njerëzit të cilët i drejtojnë organizatat më të mëdha në botë besojnë se vetë kompanitë e tyre janë të papërgatitura, atëherë tronditja që na pret do të shkojë shumë përtej sallave të bordeve drejtuese. Ajo do të riformësojë vendet e punës, industritë dhe ekonomitë.
Shumë drejtues po bëjnë pyetje të gabuara. Ata duan të dinë se cilën platformë të IA-së duhet ta blejnë ose si t’i trajnojnë punonjësit për të përdorur mjetet e reja. Këto janë vendime taktike.
Pyetja strategjike është shumë më e vështirë: nëse sot do të ndërtonim një kompani duke pasur parasysh IA-në, a do t’i ngjante ajo sadopak biznesit që kemi tani? Nëse përgjigjja është jo, atëherë shtyrja e ndryshimit vetëm sa u jep kohë konkurrentëve tuaj ta ndërtojnë të parët të ardhmen.
Modelet e biznesit duhet të ndryshojnë
Prandaj, supozimi i parë nga i cili udhëheqësit duhet të heqin dorë është se modelet e biznesit mund të mbeten të njëjta.
Kompania John Deere demonstron se si duket transformimi i vërtetë. Kompania nuk krijon më vlerë vetëm duke shitur makineri. Teknologjia e saj e fuqizuar nga IA-ja ndërthur vizionin kompjuterik, softuerin dhe të dhënat për t’i ndihmuar fermerët të pakësojnë përdorimin e herbicideve duke rritur njëkohësisht produktivitetin.
Makineritë vazhdojnë të kenë rëndësi, por inteligjenca është bërë pjesë e produktit. Ky ndryshim transformon mënyrën se si krijohet vlera, mënyrën se si blejnë klientët dhe nga ku vjen profiti.
Çdo ekip drejtues duhet t’u përgjigjet menjëherë tri pyetjeve. Si do t’i ndryshojë IA-ja produktet dhe shërbimet tuaja? Si do ta ndryshojë mënyrën se si klientët presin të blejnë prej jush? Dhe, çfarë do të ndodhë nëse një konkurrent përgjigjet i pari për këto pyetje? Organizatat pa përgjigje të qarta tashmë po mbeten prapa.
Suksesi nuk do të thotë gjithmonë t’i bësh gjërat më shpejt
Supozimi i dytë është se suksesi vjen duke i përshpejtuar proceset ekzistuese.
Historia dëshmon të kundërtën. Kur energjia elektrike arriti në fabrika, shumë prodhues thjesht zëvendësuan motorët me avull me motorë elektrikë, duke ruajtur të njëjtën strukturë të fabrikave.
Henry Ford ndoqi një qasje tjetër. Ai e ridizajnoi prodhimin rreth asaj që mundësonte energjia elektrike, duke krijuar linjën lëvizëse të montimit dhe duke zvogëluar në mënyrë drastike kohën e nevojshme për të prodhuar një makinë. Teknologjia kishte rëndësi, por ridizajnimi i biznesit krijoi përparimin thelbësor.
Shumë kompani po përsërisin gabimin fillestar. Ato po e fusin IA-në në procese të vjetruara, në vend që t’i rindërtojnë operacionet rreth IA-së. Versionet më të shpejta të sistemeve të dëmtuara nuk krijojnë avantazh të qëndrueshëm. Rishpikja, po.
IA-ja po i ndryshon rrugët tona të karrierës
Supozimi i tretë është se rrugët e djeshme të karrierës do t’i nxjerrin udhëheqësit e së nesërmes.
IA-ja po e eliminon një pjesë të madhe të punës së nivelit fillestar i cili tradicionalisht e zhvillonte ekspertizën. Juristët mbështeten tek IA-ja për kërkime dhe drafte të para. Inxhinierët e përdorin gjithnjë e më shumë projektimin me ndihmën e IA-së.
Analistët kalojnë më shumë kohë duke verifikuar përfundimet e gjeneruara nga makinat sesa duke përgatitur raporte nga e para. Po çmontohet modeli i praktikës profesionale që formoi breza të tërë profesionistësh.
Organizatat të cilat e shpërfillin këtë ndryshim do të krijojnë një hendek të rrezikshëm të aftësive. Ato do ta kenë të vështirë t’i zhvillojnë ekspertët e së ardhmes, sepse puna që dikur krijonte përvojë nuk ekziston më. Kompanitë duhet të ridizajnojnë punësimin, trajnimin, promovimin dhe shpërblimet rreth fuqisë punëtore që bashkëpunon me IA-në – në vend që të konkurrojë me të.
Bizneset që përqafojnë rishpikjen do të krijojnë produkte më të mira, inovacion më të shpejtë, konkurrueshmëri më të fortë dhe mundësi të reja për punonjësit të cilët janë të gatshëm të përshtaten. Ato që rezistojnë do të humbin klientë, talente, pjesë të tregut dhe, në fund, rëndësinë e tyre. Industri të tëra do të udhëhiqen prej organizatave të cilat zgjodhën transformimin në vend të rehatisë.
Filloni t’i sfidoni të gjitha supozimet tuaja
Ky nuk është një projekt i TI-së [teknologjisë së informacionit]. Është sfida përcaktuese e udhëheqjes në këtë dekadë.
Mos pyetni më se si përshtatet IA-ja në biznesin tuaj ekzistues. Filloni të pyesni nëse biznesi juaj ekzistues meriton të mbijetojë në një ekonomi të IA-së. Vini në pikëpyetje çdo supozim për mënyrën se si krijohet vlera, se si organizohet puna dhe se si njerëzit e zhvillojnë ekspertizën.
Pastaj veproni. Kompanitë të cilat lëvizin të parat do ta ndërtojnë të ardhmen. Ato që presin do të bëhen shembuj se sa shpejt suksesi mund t’i përkasë së shkuarës. /Telegrafi/