Komuna e Kaçanikut ka njoftuar se kanë nisur punimet për ndërtimin e Fabrikës së Ujit të Pijshëm, projekt ky me vlerë prej afër 3 milionë eurosh.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, i cili e ka vlerësuar projektin si një nga investimet më të rëndësishme për qytetin.
Sipas tij, Fabrika e Ujit të Pijshëm pritet të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme për furnizimin e qytetarëve të Kaçanikut me ujë të pijshëm.
Projekti po realizohet në bashkëfinancim me Shoqatën Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”, ndërsa në fillimin e punimeve ka marrë pjesë edhe humanisti Halil Kastrati.
Kryetari Vishi ka shprehur mirënjohje për Kastratin dhe “Jetimat e Ballkanit” për bashkëpunimin dhe përkushtimin në realizimin e këtij projekti.
“Një tjetër projekt i rëndësishëm po bëhet realitet në Kaçanik”, thuhet në njoftimin e Komunës. /Telegrafi/