Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se Drejtoria e Inspekcionit ka ndërmarrë një aksion për pastrimin e hapësirave publike në qendër të qytetit.
Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar në Bulevardin “Shemsi Ahmeti” dhe në rrugën “Kemal Ataturku”, me qëllim të përmirësimit të pastërtisë dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike.
Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Mujë Igrishta, ka paralajmëruar se ndaj personave që ndotin ambientin, si dhe pronarëve të objekteve përgjegjëse, do të ndërmerren masa ligjore dhe ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të angazhohen në ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e hapësirave publike.
“Bashkë të angazhohemi për një ambient më të pastër dhe më të mirë për të gjithë qytetarët dhe për të mirën e qytetit tonë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/