Taulant Seferi po vazhdon me formë të jashtëzakonshme në futbollin turk, teksa sulmuesi shqiptar ishte protagonist në fitoren bindëse të Kayserisporit ndaj Istanbulsporit me rezultat 4-0.
29-vjeçari ishte autor i dy golave në këtë takim, duke e nisur dhe përfunduar festivalin e golave. Seferi realizoi fillimisht në minutën e 25-të, ndërsa golin e dytë personal e shënoi në minutën e 83-të për ta vulosur fitoren e skuadrës së tij.
Me këtë dopietë, sulmuesi shqiptar ka arritur në kuotën e 7 golave këtë sezon, duke u ngjitur në vendin e dytë në listën e golashënuesve të kampionatit.
Seferi po dëshmon javë pas jave se është një prej sulmuesve më të rrezikshëm në kampionatin turk, ndërsa forma e tij po i jep një shtysë të madhe edhe Kayserisporit në garën për rezultate sa më të mira.
Me shtatë gola në llogari, sulmuesi shqiptar tashmë po synon edhe kreun e listës së golashënuesve, teksa sezoni sapo ka hyrë në fazën e tij të parë. /Telegrafi/