Gjeni frymëzim për një frizurë të re me tri stile ballukesh që kornizojnë fytyrën dhe i japin flokëve pamjen e një dendësie më të madhe
Balluket mund të duken si një ndryshim i madh. Fillimisht duhet të vendosni të ndryshoni pamjen, vijën e ndarjes së flokëve dhe të shkurtoni një pjesë të flokëve që i keni rritur me kujdes. Por, pasi të merrni këtë vendim, lind një dilemë tjetër: çfarë lloj ballukesh duhet të zgjidhni?
Përgjigjja varet shumë nga lloji i flokëve. Për personat me flokë të hollë, ekspertët theksojnë se balluket e prera siç duhet mund t’i bëjnë flokët të duken më të dendur.
Stilet moderne të ballukeve mbështeten te një pamje natyrale dhe e relaksuar, e cila e plotëson frizurën pa e dominuar atë. Balluket kornizojnë fytyrën, i japin frizurës më shumë dimension dhe tërheqin vëmendjen te tiparet e fytyrës, duke krijuar përshtypjen e më shumë volumit aty ku nevojitet, transmeton Telegrafi.
Çfarë duhet shmangur?
Gabimi më i madh janë balluket e prera tepër shkurt. Te flokët e hollë, pjesa e flokëve që ndahet për balluke ndonjëherë duhet të jetë pak më e gjerë, në mënyrë që ato të duken më të plota, sepse çdo fije ka rëndësi.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se duhet ruajtur edhe dendësia e pjesës tjetër të flokëve dhe ekuilibri mes ballukeve dhe frizurës në tërësi.
Gjithashtu, për flokët e hollë nuk rekomandohen balluket shumë të drejta dhe të dendura, sepse ky stil duket më mirë te flokët që janë natyrshëm më të trashë.
Tri stilet më të përshtatshme për flokë të hollë
Balluke të gjata “curtain”
Të njohura edhe si balluke Bardot ose bottleneck, ky stil është më i shkurtër në mes të ballit dhe zgjatet gradualisht anash, duke e kornizuar butësisht fytyrën.
Nëse po i provoni balluket për herë të parë, ekspertët këshillojnë që në fillim t’i lini pak më të gjata. Curtain bangs ndërthuren natyrshëm me prerjet me shtresa, u përshtaten pothuajse të gjitha llojeve të flokëve dhe janë zgjedhje e mirë për këdo që dëshiron të eksperimentojë për herë të parë me balluke.
Balluke anash
Ky stil bie diagonalisht mbi ballë dhe bashkohet gradualisht me pjesën tjetër të flokëve. Fillon nga ndarja anësore dhe i zbut tiparet e fytyrës.
Balluket anash konsiderohen ndër stilet më praktike, sepse mund ta bëjnë fytyrën e rrumbullakët ose katrore të duket vizualisht më e zgjatur, ndërsa njëkohësisht zbusin një ballë më të theksuar ose vijën e nofullës.
Balluke të lehta dhe të ajrosura
Sipas ekspertëve, ndër zgjedhjet më të mira janë balluket e lehta dhe të buta, të përshtatura me rritjen natyrale të flokëve, formën e fytyrës, vijën e flokëve dhe fijet që mund të jenë më të vështira për t’u stiluar.
Balluket e prera mirë duhet të duken natyrale dhe të shkrihen pa u vënë re me pjesën tjetër të frizurës.
Pikërisht këtë efekt e japin balluket e lehta, paksa të çrregullta: e freskojnë pamjen pa e rënduar dhe përshtaten lehtë me pothuajse çdo frizurë.
/Telegrafi/