Një studim i ri ka zbuluar një lidhje interesante mes çamçakëzit, nitrateve dhe presionit të gjakut.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky nuk duhet të konsiderohet si një trajtim për hipertensionin.
Studimi, i publikuar në vitin 2026 në British Journal of Clinical Pharmacology, shqyrtoi mënyrën se si aciditeti i gojës ndikon në shndërrimin e nitrateve ushqimore në oksid nitrik, një përbërje që ndihmon në zgjerimin e enëve të gjakut dhe mund të ulë presionin e gjakut.
Pjesëmarrësit konsumuan lëng panxhari të pasur me nitrate dhe më pas përtypën çamçakëz me ose pa sheqer.
Rezultatet treguan se çamçakëzi me sheqer e rriti aciditetin e pështymës dhe ndihmoi në mënyrë më efikase në shndërrimin e nitrateve në nitrite.
Pas tij, niveli i nitriteve në pështymë ishte rreth 45 për qind më i lartë, derisa në qarkullimin e gjakut rreth 25 për qind më i lartë.
Ky proces u shoqërua edhe me një ulje të lehtë të presionit të gjakut: presioni sistolik ra me rreth 3 mmHg, ndërsa ai diastolik me rreth 2 mmHg, krahasuar me çamçakëzin pa sheqer.
Megjithatë, efekti ishte i përkohshëm dhe filloi të zbehej brenda disa orësh.
Studiuesit paralajmërojnë se çamçakëzi me sheqer nuk duhet përdorur si mënyrë për kontrollin e tensionit, për shkak të efekteve negative që sheqeri mund të ketë në dhëmbë, mishra dhe nivelin e glukozës në gjak.
Për më tepër, ulja e presionit ishte shumë më e vogël se ajo që zakonisht arrihet me trajtimet standarde.
Sipas autorit kryesor të studimit, Andrew Webb nga King’s College London, gjetjet janë më interesante për të kuptuar mekanizmin e nitrateve dhe aktivitetin fizik sesa për përdorimin e çamçakëzit si trajtim të hipertensionit.
Nitrate të dobishme gjenden natyrshëm në ushqime si panxhari, spinaqi dhe rukola.
Pra, ndonëse studimi tregon një efekt interesant dhe të përkohshëm, çamçakëzi nuk është një zëvendësim për trajtimin e presionit të lartë të gjakut. /Telegrafi/