Malisheva ka shënuar një fitore bindëse në udhëtim ndaj Llapit, duke triumfuar me rezultat të thellë 4-0 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në kuadër të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës.
Skuadra mysafire e nisi më mirë ndeshjen dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 41-të. Vüsal İsgändärli realizoi për 1-0, ndërsa goli fillimisht u anulua, por pas rishikimit në VAR u konfirmua dhe Malisheva e mbylli pjesën e parë në epërsi.
Malisheva vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë dhe në minutën e 57-të fitoi penallti pas ndërhyrjes së gjykuar nga VAR. Xhemal Ibishi mori përgjegjësinë dhe ishte i saktë nga pika e bardhë për 2-0.
Vetëm tri minuta pas golit të dytë, Malisheva realizoi edhe të tretin. Lorent Talla shënoi në minutën e 60-të, duke e çuar epërsinë e mysafirëve në 3-0 dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë rikthimin e Llapit në lojë.
Malisheva nuk u ndal as në vazhdim dhe në minutën e 84-të vulosi fitoren me golin e katërt. Mark Bushaj realizoi për 4-0, duke i dhënë fund një paraqitjeje dominuese të skuadrës nga Malisheva.
Me këtë fitore, Malisheva ngjitet në vendin e dytë në tabelë me 13 pikë, vetëm dy më pak se liderja Prishtina. Në anën tjetër, Llapi vazhdon të ketë probleme në fillim të sezonit dhe mbetet në vendin e tetë me vetëm 3 pikë pas gjashtë xhirove. /Telegrafi/