Romeo Beckham ka tërhequr vëmendjen me një tjetër pamje nga filmi romantik i tenisit “Forty Love”, ku do të bëjë debutimin e tij si aktor.
Djali i David dhe Victoria Beckham shfaqet në fushën e tenisit përkrah aktorit francez Paul Kircher.
Në film, Kircher luan Sacha Gallo, një tenist 21-vjeçar në ngjitje, i cili është stërvitur nga babai i tij që në fëmijëri, shkruan DailyMail.
Ndërkohë, personazhi i Romeos përshkruhet si një rival i ri dhe karizmatik që hyn në jetën e Sashës dhe kërcënon ambiciet e tij sportive.
Emri i personazhit që interpreton Romeo ende nuk është bërë i ditur. Megjithatë, është konfirmuar se ai do të flasë në anglisht dhe frëngjisht gjatë filmit.
“Forty Love” është drejtuar nga fotografi i modës Pierre-Ange Carlotti dhe në kast janë edhe Guillaume Canet, Benjamin Voisin dhe Catherine Deneuve.
Filmi do të shfaqet në kinematë franceze më 25 nëntor, ndërsa më pas pritet të publikohet edhe ndërkombëtarisht.
Historia përqendrohet te Sacha, i cili përballet për herë të parë me një kundërshtar që nuk mund ta mposhtë në fushë: dashurinë.
Romeo, 24 vjeç, ka ndërtuar karrierën e tij kryesisht në modeling dhe futboll, ndërsa “Forty Love” shënon hapin e tij të parë në aktrim. /Telegrafi/