Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Prishtinë ka kundërshtuar vendimin për dhënien në shfrytëzim për 50 vjet të pronës së Tulltores, duke e kritikuar procedurën e ndjekur nga qeverisja e Përparim Ramës.
LVV ka bërë të ditur se bëhet fjalë për rreth 45 mijë metra katrorë pronë komunale, të cilën Komuna e Prishtinës e kishte blerë për rreth pesë milionë euro, ndërsa tash i është dhënë për shfrytëzim kompanisë private BGC SH.P.K.
Sipas LVV-së, vendimi e lidh pronën e kryeqytetit për pesë dekada dhe, për këtë arsye, kërkon transparencë të plotë, vlerësim të pavarur të pasurisë, konkurrencë të mirëfilltë dhe garanci financiare.
“50 vjet janë 12 mandate e gjysmë të një qeverisjeje komunale”, thuhet në reagimin e LVV-së.
Partia ka ngritur shqetësime edhe për përvojën e kompanisë për të realizuar një projekt të përmasave të Tulltores. Sipas saj, nuk është bërë publike përvoja e BGC SH.P.K. në projekte të ngjashme, ekipet profesionale që do të angazhohen apo dëshmitë për kapacitetet financiare dhe organizative të operatorit.
LVV ka theksuar se projekti parashihet të përfshijë mbi 42 mijë metra katrorë ndërtime, me hotel, restorante, galeri, auditorium, hapësira teknologjike, studio, zyra, hapësira afariste dhe parkingje.
Po ashtu, LVV ka ngritur pikëpyetje lidhur me vlerën e pronës dhe përfitimet e Komunës nga marrëveshja. Sipas saj, marrëveshja parasheh investime deri në 10 milionë euro gjatë pesë vjetëve të parë dhe deri në 20 milionë euro në fazat e mëvonshme, ndërsa Komunës i takojnë 15 për qind e të hyrave bruto.
LVV pretendon se gjatë shtatë viteve të para Komuna nuk do të përfitojë të hyra, ndërsa shifrat e përmendura nga Përparim Rama për rreth një milion euro në vit dhe mbi 50 milionë euro gjatë 50 viteve i konsideron parashikime që duhet të shoqërohen me garanci konkrete.
Vendimi për Tulltoren është miratuar më 11 shtator në Kuvendin Komunal të Prishtinës me 31 vota për, 13 kundër dhe asnjë abstenim.
LVV ka kërkuar që të shqyrtohet ligjshmëria e procedurës, dokumentacioni, vlerësimi i pronës, kushtet e marrëveshjes dhe kapacitetet e operatorit.
Po ashtu, kjo parti ka bërë të ditur se do të ndjekë ankimet administrative dhe, nëse është e nevojshme, rrugën gjyqësore, ndërsa ka paralajmëruar edhe kallëzim penal për, siç pretendon, shkelje të interesit të Komunës dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në fund, LVV ka ngritur dyshime për “klientelizëm dhe korrupsion” dhe ka kërkuar hetim të plotë nga Prokuroria për mënyrën se si është përgatitur, negociuar dhe miratuar marrëveshja.
“Tulltorja është pronë e Prishtinës. Prishtina nuk është plaçkë”, thuhet në reagimin e LVV-së. /Telegrafi/