Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka pranuar konfirmimin për përfshirjen e saj në mekanizmin e avancuar të Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore – Eurosystem Repo Facility for Central Banks (EUREP), i themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Sipas BQK-së, ky zhvillim paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e mëtejmë të kornizës së saj për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro.
“Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e mëtejmë të kornizës së BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro. Ai shton një shtresë të re qëndrueshmërie për sistemin financiar të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
BQK-ja aktualisht ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, e vlefshme deri më 31 janar 2027.
Megjithatë, përfshirja në kornizën e avancuar EUREP përfaqëson kalimin nga kjo marrëveshje e kufizuar në shumë dhe kohë drejt një kornize të përhershme të Eurosistemit për sigurimin e likuiditetit mbështetës në euro për bankat qendrore jashtë zonës së euros.
Në kuadër të kornizës EUREP, bankat qendrore të pranueshme mund të sigurojnë likuiditet në euro kundrejt kolateralit cilësor të denominuar në euro.
Sipas BQK-së, kapaciteti maksimal i një linje individuale në kuadër të kësaj kornize mund të arrijë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kërkesave të zbatueshme dhe aranzhimeve operacionale të Eurosistemit.
Për Kosovën, si ekonomi që përdor euron, qasja në një mekanizëm të tillë të Eurosistemit konsiderohet veçanërisht e rëndësishme.
Sipas BQK-së, kjo qasje plotëson arkitekturën ekzistuese të stabilitetit financiar të vendit dhe forcon kapacitetin e bankës qendrore për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme për likuiditet, si dhe goditjeve të jashtme apo financiare.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka mirëpritur përfshirjen në mekanizmin EUREP, duke e cilësuar atë si një arritje të rëndësishme në forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës.
Ai ka shprehur edhe mirënjohjen e BQK-së ndaj Bankës Qendrore Evropiane për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
“Ky është një avancim i rëndësishëm për rrjetin e sigurisë financiare të Republikës së Kosovës. Qasja në kornizën e avancuar EUREP forcon ndjeshëm instrumentet që BQK ka në dispozicion për ruajtjen e likuiditetit dhe stabilitetit financiar”, ka deklaruar Ismaili.
Sipas tij, mekanizmi i ri vjen si një shtresë shtesë mbrojtjeje krahas pozitës së kapitalit dhe likuiditetit të sektorit bankar në Kosovë.
“Së bashku me pozitën e fortë të kapitalit dhe likuiditetit të sektorit tonë bankar, rezervat dhe mekanizmat ekzistues të stabilitetit, kjo ofron një shtresë shtesë dhe kredibile të mbrojtjes ndaj goditjeve potenciale të jashtme dhe financiare”, ka theksuar guvernatori.
Ismaili ka vlerësuar se ky zhvillim pasqyron edhe avancimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit institucional të BQK-së me bankat qendrore evropiane dhe Eurosistemin.
Guvernatori i BQK-së ka theksuar se përfshirja në EUREP duhet të shihet edhe si sinjal për qytetarët, bizneset dhe institucionet financiare.
“Mesazhi për qytetarët, bizneset dhe institucionet financiare është i qartë: sistemi financiar i Kosovës është stabil, likuid, i mirëkapitalizuar dhe i qëndrueshëm, ndërsa mekanizmat që e mbështesin dhe e mbrojnë atë po fuqizohen vazhdimisht”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka shtuar se krahas ruajtjes së stabilitetit financiar, synim i BQK-së është edhe ndërtimi i kapaciteteve dhe masave mbrojtëse që do të mundësonin qëndrueshmërinë e sistemit edhe në situata të pafavorshme.
“Objektivi ynë krahas ruajtjes së stabilitetit financiar, është edhe ndërtimi i kapaciteteve dhe masave mbrojtëse të nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë e tij edhe në skenarë të pafavorshëm”, ka theksuar ai.
Çfarë është EUREP?
Mekanizmi i avancuar EUREP është një mekanizëm i përhershëm i Eurosistemit, i krijuar për t’u ofruar bankave qendrore të pranueshme jashtë zonës së euros qasje në likuiditet të përkohshëm në euro, kur një gjë e tillë është e nevojshme.
Mekanizmi koordinohet nga Banka Qendrore Evropiane dhe operacionalizohet përmes pesë bankave qendrore kombëtare të Eurosistemit, përfshirë Bankën Qendrore të Gjermanisë, Deutsche Bundesbank.
BQK-ja ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Deutsche Bundesbank, do të vazhdojë përgatitjet e nevojshme teknike dhe operacionale për operacionalizimin e plotë të mekanizmit në ditët në vijim.
Shuma që do të jetë e disponueshme për Kosovën në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të përcaktohet në përputhje me nevojat e vlerësuara, kërkesat e zbatueshme dhe kolateralin e pranueshëm.
“Shuma e disponueshme në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të përcaktohet në përputhje me nevojat e vlerësuara, kërkesat e zbatueshme dhe kolateralin e pranueshëm, brenda limitit të përgjithshëm të përcaktuar nga BQE”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Përfshirja në EUREP vjen si pjesë e masave të BQK-së për forcimin e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes prudenciale, menaxhimit të rezervave dhe integrimit të Kosovës me infrastrukturën dhe mekanizmat financiarë evropianë.
Ky zhvillim i jep BQK-së një mekanizëm shtesë për sigurimin e likuiditetit në euro në raste të nevojshme dhe synon të forcojë më tej qëndrueshmërinë e sistemit financiar të Kosovës. /Telegrafi/