Pirja e ujit ndoshta nuk është gjëja e parë që mendoni pasi zgjoheni, veçanërisht nëse keni zakon të pini menjëherë një filxhan kafe. Megjithatë, pirja e një gote uji para gllënjkës së parë të kafeinës mund të lehtësojë shqetësimin e stomakut të shkaktuar nga aciditeti i kafesë.
Ekspertët rekomandojnë pirjen e ujit menjëherë pas zgjimit për të rimbushur lëngjet e humbura gjatë natës.
Gjatë gjumit, trupi humbet ujë nëpërmjet frymëmarrjes dhe djersitjes. Dehidratimi mund të ndikojë negativisht në përqendrim dhe funksionet njohëse gjatë ditës. Një hulumtim i botuar në vitin 2020 në revistën Psychological Research tregoi se një periudhë 12-orëshe pa ujë mund të ndikojë negativisht në arsyetim dhe vendimmarrje.
Këshillohet që t’i kushtoni vëmendje mënyrës se si konsumimi i ujit ndikon në gjendjen tuaj të përgjithshme dhe nivelin e energjisë.
“Vlerësoni nëse ky është një zakon i thjeshtë që mund ta përvetësoni lehtësisht në mëngjes”, thotë profesori i asociuar i të ushqyerit klinik në Universitetin NYU Steinhardt, Ethan Balk për Verywell Health , “Nëse vendosni të filloni këtë praktikë, një sasi prej 250 deri në 500 mililitra ujë është e mjaftueshme”.
Ky është një hap i parë i mirë drejt përmbushjes së nevojave tuaja ditore për lëngje. Akademia Amerikane e Ushqyerjes dhe Dietologjisë rekomandon një konsum ditor prej rreth 2.7 litrash lëngje për gratë dhe 3.7 litra për burrat.
Uji zbut efektin e aciditetit të kafesë në stomak
Fillimi i ditës me ujë në vend të kafesë sjell përfitime të drejtpërdrejta për sistemin tretës.
Uji e bën më të lehtë kalimin e ushqimit dhe i vë në lëvizje zorrët në mëngjes. Pirja e ujit të ngrohtë mund të stimulojë tretjen në mëngjes.
Uji i ngrohtë ndihmon në relaksimin e muskujve të traktit muskulo-tretës dhe ruan funksionimin e qëndrueshëm të sistemit tretës. Disa studime tregojnë se uji i ngrohtë para vakteve ndihmon më tej tretjen, megjithëse nevojiten më shumë kërkime për të nxjerrë përfundime përfundimtare dhe konfirmuese.
Dr. Balk thekson se pirja e ujit në mëngjes mund të zvogëlojë shqetësimin në stomak që aciditeti i kafesë mund të shkaktojë më vonë, megjithëse reagimi ndryshon nga personi në person.
Qëndroni të hidratuar gjatë gjithë ditës
Edhe pse një gotë me ujë në mëngjes është një fillim i dobishëm, është thelbësore të ruani marrjen e lëngjeve gjatë gjithë ditës. Marrja e rregullt e lëngjeve ndihmon në ruajtjen e përqendrimit dhe aktivitetit fizik, veçanërisht gjatë ditëve të ngrohta. Megjithatë, konsumi i moderuar i kafesë nuk kërkon një rritje drastike të marrjes së ujit.
“Doza e zakonshme ditore është një deri në tre filxhanë kafe. Nëse ndiheni të rraskapitur në mëngjes, provoni të pini më parë një gotë me ujë dhe shikoni se si ndikon në trupin tuaj”, përfundon Balk.