Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, duke akuzuar kritikuar liderin e VV-së Albin Kurti se po ndryshon t’i anashkalojë rregullat kushtetuese.
Sipas Çitakut, Kurti po sillet jashtë çdo rregulli institucional, duke e shpallur vetë Kuvendin e konstituuar, duke zgjedhur e marrë vendim, pa marrë parasysh gjendjen politike në vend.
“Albin Kurti po synon me suspendu çdo rregull. Çdo normë. Jo vetëm kushtetuese e politike, por edhe morale e njerëzore. Vetë, si një monark i një kohe të kaluar, jashtë çdo rregulli, e shpall Kuvendin të konstituuar, e zgjedh Qeverinë, merr vendime. Ngre dorën e gishtat si një fëmijë i llastuar, pa asnjë fije përgjegjësie politike e kombëtare për situatën në të cilën e ka sjellë vendin”, ka shkruar Çitaku.
Ajo po ashtu ka shkruar se ‘kjo mendësi nuk ka me kalua”.
Sipas saj, Republika nuk funksionon sipas vullnetit të një njeriu dhe ka shtuar se PDK as nuk joshet, as nuk shantazhohet, e as nuk nënshtrohet.
“Kuvendi nuk është pronë private. Kushtetuta nuk është meny prej së cilës zgjedh çka të pëlqen e çka jo. PDK as nuk joshet, as nuk shantazhohet, e as nuk nënshtrohet. Kemi me përdorë çdo mjet politik dhe juridik për me e rikthy demokracinë, ligjshmërinë dhe rendin kushtetues në vend. Sepse askush nuk është mbi Kushtetutën. Askush nuk është mbi Kuvendin. Askush nuk është mbi Republikën. E për përrallat pseudopatriotike me Listën Serbe, as që ia vlen me folë. Folën ata vetë. Me votë. Në Kuvend”, shkruan Çitaku.
Ndryshe, legjislatura e njëmbëdhjetë e Kuvendit të Kosovës është konstituar të dielën me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, sipas kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme zgjodhi Kujtim Shalën e LDK-së për nënkryetar, nga komuniteti jo serb Emilja Rexhepin dhe Tanja Vujoviqin nga Lista Serbe.
Ndërkaq PDK nuk ishte në sallën plenare, rrjedhimisht kishte tërhequr propozimin e Vlora Çitakut për nënkryetare.
Paraprakisht, ishte zgjedhur Ardian Gola nënkryetar të premten.
Gjithashtu sot është votuar edhe Qeveria “Kurti 4” në një seancë të jashtëzakonshme me 62 vota për. PDK-ja njofton se nesër në orën 09:00 do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim rastin e ‘konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe votimit të qeverisë së re’ të dielën.