Ekspertët thonë se mënyra si mendojmë, reagojmë ndaj dështimit dhe ndërtojmë marrëdhënie mund të ndikojë më shumë sesa mendojmë
Të gjithë njohim dikë të cilit duket se gjithçka i shkon mbarë: gjen punën e duhur në momentin e duhur, takon personin e duhur ose has një mundësi që i ndryshon jetën. Ndërsa disa pyesin pse fati i anashkalon, të tjerët duket sikur e tërheqin vazhdimisht.
Por profesoresha e lidershipit dhe inovacionit Tina Seelig mendon se fati nuk është vetëm çështje rastësie. Shumëçka varet nga mënyra si mendojmë, vendimet që marrim dhe gatishmëria për t’i dalluar mundësitë kur shfaqen.
Fati nuk pritet, por krijohet
Seelig, e cila për më shumë se dy dekada ka drejtuar programe të lidershipit dhe inovacionit në Universitetin Stanford, bën dallimin mes asaj që thjesht na ndodh dhe rrethanave fatlume që, deri diku, i krijojmë vetë përmes zgjedhjeve, sjelljes dhe gatishmërisë për të rrezikuar.
Nuk mund të kontrollojmë gjithçka që do të na ndodhë, por mund të shtojmë numrin e mundësive që na dalin përpara, transmeton Telegrafi.
foto: africaimages
Pesë zakonet e njerëzve që e krijojnë vetë fatin
1. E dinë çfarë ka vërtet rëndësi për ta
Kur i njihni vlerat dhe prioritetet tuaja, e dalloni më lehtë një mundësi që përputhet me jetën tuaj dhe dini të refuzoni atë që ju çon në drejtimin e gabuar.
Kjo vlen edhe në punë. Njeriu që i njeh kufijtë dhe parimet e veta nuk pranon çdo ofertë vetëm sepse tingëllon tërheqëse.
2. Kujdesen për mënyrën si flasin me veten
Nëse vazhdimisht i thoni vetes se nuk keni fat, se nuk jeni mjaftueshëm të aftë apo se gjërat e mira nuk ju ndodhin, mund të filloni të silleni në përputhje me këto bindje.
Në vend të pyetjes: “Pse më ndodh gjithmonë mua?”, Seelig sugjeron: “Çfarë mund të bëj më tej?”
Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por mund të ndryshojmë mënyrën si reagojmë ndaj saj.
3. Lënë hapësirë për të papriturën
Ndonjëherë mundësitë më të mira shfaqen kur dalim nga rutina: nisni një bisedë me dikë që nuk e njihni, kontaktoni një ish-koleg apo pranoni një ftesë që zakonisht do ta refuzonit.
Sa më shumë njerëz dhe përvoja të reja të kemi në jetën tonë, aq më shumë rriten gjasat që diçka të na hapë një drejtim të ri.
4. Nuk i fshehin dështimet
Dështimi nuk është domosdoshmërisht dëshmi se nuk jemi të zotë. Ndonjëherë është thjesht dëshmi se kemi provuar.
Prandaj flitet edhe për “CV-në e dështimeve” – një listë përpjekjesh që nuk patën sukses, por që sollën përvojë, njohuri dhe mësime.
Ai që nuk ka frikë nga çdo dështim e ka më të lehtë të bëjë hapin tjetër. Dhe pikërisht ai hap mund ta çojë drejt një mundësie që nuk e kishte parashikuar.
5. Nuk e harrojnë mirënjohjen
Një “faleminderit” i sinqertë, kujtimi i dikujt që na ka ndihmuar, një rekomandim apo kthimi i një nderi mund të duket gjë e vogël, por ndërton marrëdhënie.
Dhe pikërisht përmes marrëdhënieve shpesh vijnë informacione, rekomandime, bashkëpunime dhe mundësi të reja.
Çfarë thotë psikologjia për njerëzit “me fat”?
Edhe psikologu britanik Richard Wiseman ka studiuar mënyrën se si njerëzit e perceptojnë fatin. Hulumtimet e tij sugjerojnë se personat që e konsiderojnë veten me fat priren t’i vërejnë më shpesh mundësitë, të mbështeten te intuita, të presin rezultate pozitive dhe të gjejnë diçka të dobishme edhe në situata të pafavorshme.
Kjo nuk do të thotë se optimizmi i pengon gjërat e këqija. Por dy njerëz mund të përballen me të njëjtën situatë dhe ta shohin krejt ndryshe: njëri sheh derën e mbyllur, tjetri vëren dritaren.
Si të krijoni më shumë “fat”?
Nuk është e nevojshme ta ndryshoni jetën brenda natës. Filloni duke vëzhguar zakonet tuaja për një javë: përcaktoni çfarë ka rëndësi për ju, dëgjoni mënyrën si flisni me veten, bëni diçka jashtë rutinës, kontaktoni dikë me të cilin nuk keni folur prej kohësh dhe falënderoni dikë që ju ka ndihmuar.
Fati do ta ketë gjithmonë një element rastësie. Por mund të jemi më të përgatitur kur mundësia të shfaqet.
Sepse ndoshta sekreti nuk është që gjithçka të na shkojë gjithmonë mirë, por të mos e humbasim një mundësi të mirë vetëm sepse nuk e prisnim. /Telegrafi/