Një aeroplan luftarak i NATO-s u ngrit në fluturim në Lituani pas një sinjalizimi për një dron të dyshuar në hapësirën ajrore të vendit.
Pas verifikimit, rezultoi se objekti i dyshimtë ishte një tufë zogjsh.
Aeroplani u nis nga baza ajrore e Siauliai, në veri të Lituanisë, ndërsa për shkak të alarmit u mbyll përkohësisht edhe aeroporti ndërkombëtar i Vilniusit.
Alarmi u hoq dhe aeroporti u rihap pas vetëm 38 minutash, pasi aeroplani i NATO-s identifikoi vizualisht objektin.
Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave të Lituanisë tha se në pamjet fillestare të radarëve, gjurmët e lëna nga zogjtë dhe dronët mund të duken të ngjashme.
Aktualisht, aeroplanët e Forcave Ajrore Italiane janë të dislokuar në Siauliai në kuadër të misionit të NATO-s për mbrojtjen ajrore të vendeve baltike.
Incidenti vjen në një periudhë kur shqetësimet për depërtimin e dronëve në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s janë rritur, veçanërisht në kufirin verior të aleancës me Rusinë, pas një serie incidentesh të lidhura me luftën në Ukrainë.