Reperi, Mozzik, ka reaguar pas pjesëmarrjes së tij në Marshin për Liri, të mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi, ai ka treguar se pas kthimit në shtëpi ka lexuar komentet në disa artikuj dhe ka thënë se është përballur me ofendime ndaj tij dhe familjes.
Mozzik ka pretenduar se shumica e profileve që kishin komentuar kundër tij ishin të rreme, duke i lidhur ato me persona që, sipas tij, nuk morën pjesë në marsh.
Ai ka kritikuar ashpër ata që kundërshtojnë luftën e UÇK-së dhe ka përmendur edhe 16 shtatorin, kur pritet vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Postimi i plotë
Dje isha prezent në Marshin për Liri,
për Çlirimtarët.
Kur u ktheva në shtëpi, u shtriva me pushu pak. Rastësisht hasa në disa gazeta që kishin shkru për mu.
Fillova me lexu komentet dhe përfundova duke i lexu pothuajse krejt.
M’u kish sha nana, gruaja, vajza, familja e fisi, veç pse dola në marsh.
Po kur fillova me kliku e me pa kush ishin ata që shkruanin, pothuajse krejt profile fallco.
Aty thashë me vete: këta janë pikërisht ata që nuk dolën në protestë. Këta janë e keqja e këtij vendi. Këta janë pjellë e Beogradit. Këta presin më 16 Shtator një vendim krejt të kundërt me atë që presim ne.
Zoti ju marroftë juve që jeni kundër luftës së pastër të UÇK-së!
Largohuni prej rreshtit tonë.
Nuk na duheni as sot me u rreshtu me ne.
Nuk jeni rreshtu kurrë me ne, e as nuk keni me u rreshtu kurrë.
Ne s’kemi pasë kurrë dashuri për Serbinë. Gjyshërit tanë, baballarët e familjarët tanë e kanë përjetu mbi lëkurën e tyre çka ka sjellë Serbia në këto troje.
E kur ka ardhë koha, i kanë dalë përballë.
Lavdi dëshmorëve të Kombit!
O Zot i Madh, bëje 16 Shtatorin datën që historia s’do ta harrojë kurrë.
Në reagimin e tij, Mozzik theksoi se pret që 16 shtatori të sjellë një vendim që, sipas tij, do të mbetet në histori. /Telegrafi/