Një dron rus goditi lokomotivën e një treni pasagjerësh në rajonin Volyn të Ukrainës, vetëm 2 kilometra larg kufirit me Poloninë, njoftuan autoritetet ukrainase.
Nuk raportohet për viktima.
Kompania shtetërore ukrainase e hekurudhave, Ukrzaliznytsia, tha se sulmi u zbulua në kohë nga ekipet që monitorojnë kërcënimet ajrore.
Paralajmërimi u dha ekuipazhit të trenit, duke i mundësuar atij të merrte masa për mbrojtjen e pasagjerëve dhe stafit.
Sulmi ishte pjesë e një vale të gjerë bombardimesh ruse.
Sipas Forcave Ajrore ukrainase, Rusia lëshoi më shumë se 450 dronë gjatë natës, ndërsa sulmet në disa rajone të Ukrainës shkaktuan të paktën 3 viktima dhe 36 të plagosur.
Për shkak të sulmeve pranë kufirit, Polonia kufizoi përkohësisht qarkullimin në disa pika kufitare me Ukrainën.
Autoritetet polake aktivizuan gjithashtu avionë ushtarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit, por theksuan se nuk pati shkelje të territorit polak.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha e cilësoi sulmin si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së Evropës, duke deklaruar se “Rusia po troket në dyert e BE-së dhe NATO-s” dhe duke bërë thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Moskës.