Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka reaguar lidhur me zhvillimet politike dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjini ka thënë se tashmë ka nisur afati për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ka theksuar se pas përfundimit të këtij afati mund të hapet rruga për zgjedhje.
“Ju kemi thënë, po e ndjekin datën 27 dhjetor. Prej sot, 60 ditë afat për zgjedhje të presidentit, plus deri në 45 ditë zgjedhjet. Tash e ka 27 dhjetorin që e ka kërkuar”, ka shkruar Gjini.
Ai ka pretenduar se çështja nuk ka qenë te emrat e përmendur për president, por te arritja e afatit të caktuar.
“Nuk kanë pasur problem as me Vlorë Çitakun as me Kujtim Shalën, as me ‘popullin serb’. Problemi ka qenë me e mbërri datën e sotme. Afatin”, ka deklaruar ai.
Gjini ka akuzuar më tej kundërshtarët politikë për mashtrim dhe manipulim, duke bërë thirrje për zgjedhje.
“Tashmë qytetarët e dinë se është mashtrues e manipulator. Nëse doni, shkojmë në zgjedhje! Mos u frikësoni prej zgjedhjeve!”, ka shkruar ai. /Telegrafi/