Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) pas vendimit për të votuar kandidatët e partive opozitare për nënkryetarë të Kuvendit.
Sadiku ka pretenduar se LVV-ja, përmes bllokimit institucional, po synon që vendi të shkojë sërish në zgjedhje në dimër, duke e përmendur 27 dhjetorin si datë të planifikuar.
“Tash vendosi VV me i votu nënkryetarët e partive tjera. Qysh kam thënë tash e dy muaj, këta kanë me na dërgu prapë në zgjedhje në dimër”, ka shkruar Sadiku në Facebook.
Sipas tij, vendimi i sotëm i LVV-së për votimin e nënkryetarëve lidhet me synimin për të arritur te data 27 dhjetor.
“Datën që e kanë përmendur, 27 dhjetorin, e kanë përcaktu me vendimin e sotëm. 60 ditë plus 45 ditë na çojnë pikërisht te 27 dhjetori”, ka deklaruar ai.
LVV mban mbledhje të jashtëzakonshme, vendos t’i votojë Çitakun e Shalën për nënkryetarë të Kuvendit

Deputeti i LDK-së ka akuzuar LVV-në se po e zvarrit konstituimin e Kuvendit dhe po e përdor këtë situatë për interesa partiake.
“Pra, krejt ky bllokim, krejt këto lojëra me Kuvendin, krejt kjo zvarritje veç për me mbërri te data që e kanë planifiku”, ka shkruar Sadiku.
Ai ka kritikuar gjithashtu partinë në pushtet për mënyrën e veprimit ndaj Kushtetutës dhe stabilitetit institucional.
“Parti që e shkel Kushtetutën tri herë vetëm për me mbërri te një datë zgjedhjesh. Parti që nuk e don stabilitetin. E don kaosin”, ka thënë Sadiku.
Në fund, deputeti i LDK-së ka paralajmëruar pasoja politike për LVV-në.
“Keni me marrë fund politikisht. Populli nuk ka me jua harru këto lojëra me shtetin”, ka përfunduar ai./Telegrafi/