Barcelona shihet si një prej favoriteve kryesore për ta fituar Ligën e Kampionëve në sezonin 2026/27, pas një vere ku klubi katalunas bëri disa lëvizje të rëndësishme në merkato.
Pas 11 vitesh pritjeje, Barcelona synon të rikthehet në majën e Evropës, ndërsa Hansi Flick ka në dispozicion një skuadër që duket më e kompletuar dhe më e fuqishme se në sezonet e fundit.
Me përforcimet e bëra nga drejtori sportiv Deco, por edhe me rritjen e disa prej yjeve që tashmë ishin pjesë e skuadrës, Barcelona ka ndërtuar një ekip që duket i aftë të përballet me çdo kundërshtar.
Më poshtë janë katër arsyet kryesore pse Barcelona mund të shkojë deri në fund në Ligën e Kampionëve.
Një merkato e suksesshme dhe skuadër e nivelit të lartë
Barcelona zhvilloi një prej afateve kalimtare më të mira të viteve të fundit, duke përforcuar pothuajse çdo repart të skuadrës.
Klubi katalunas realizoi shtatë transferime, me Jesse Bisiwun që konsiderohet si një investim për të ardhmen, ndërsa portieri kroat Dominik Livakovic u afrua për të qenë zëvendësues i Joan Garcias.
Megjithatë, emrat më të mëdhenj janë ata që pritet të kenë ndikimin më të madh.
Anthony Gordon u transferua nga Newcastle United për 70 milionë euro dhe nënshkroi kontratë deri në qershor të vitit 2031. Sulmuesi anglez ka pasur një fillim fantastik, duke regjistruar pesë asistime në po aq ndeshje në të gjitha garat.
Gordon i ka dhënë Barcelonës më shumë shpejtësi, vertikalitet dhe intensitet në krahun e majtë.
Karim Adeyemi u transferua nga Borussia Dortmundi për 22 milionë euro dhe gjithashtu ka dhënë sinjale pozitive. Gjermani ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar një asistim në pesë paraqitje, duke realizuar edhe në debutimin e tij në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve.
Joao Cancelo, pas një tjetër huazimi te Barcelona, është transferuar përfundimisht dhe ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2029. Mbrojtësi portugez sjell përvojë dhe shumë eksplozivitet në të dy krahët.
Gabriel Jesus iu bashkua Barcelonës në ditët e fundit të afatit kalimtar. Pas vështirësive për të transferuar Julian Alvarezin nga Atletico Madridi, Barcelona u kthye te braziliani, i cili nuk kishte hapësira të mjaftueshme te Arsenali. Ai kushtoi 10 milionë euro dhe ka shënuar një gol në dy paraqitje.
Por transferimi më i rëndësishëm ishte padyshim Rodri. Barcelona pagoi 60 milionë euro për kapitenin e Kombëtares së Spanjës, i cili nënshkroi kontratë deri në qershor të vitit 2030. Fituesi i Topit të Artë për vitin 2024 është tashmë duke i dhënë skuadrës një dimension tjetër në mesfushë.
Me këto përforcime, Barcelona është bërë më e fortë në të gjitha repartet dhe më e përgatitur për fazën vendimtare të sezonit.
Raphinha, zgjidhja e papritur si numër 9
Një tjetër arsye për optimizëm është forma dhe pozicioni i ri i Raphinhas.
Braziliani, i cili këtë sezon është promovuar edhe si kapiten, ka marrë përgjegjësi më të mëdha dhe po dëshmon se mund të jetë po aq i rrezikshëm edhe në një rol qendror.
Pas dështimit për ta transferuar Julian Alvarezin, Flick gjeti një zgjidhje brenda skuadrës duke e zhvendosur Raphinhan nga krahu në pozitën e qendërsulmuesit.
Deri tani, vendimi ka rezultuar i shkëlqyeshëm. Raphinha ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar një asistim në vetëm pesë ndeshje. Në ndeshjen ndaj Feyenoordit në Ligën e Kampionëve, ai realizoi dy herë.
Si numër 9, braziliani i jep Barcelonës një tjetër dimension në sulm. Puna e tij pa top është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi ai nis presingun që nga zona e kundërshtarit dhe i vë vazhdimisht në vështirësi mbrojtësit.
Shpejtësia e tij i jep Barcelonës më shumë vertikalitet, ndërsa lëvizjet e vazhdueshme drejt thellësisë krijojnë hapësira për bashkëlojtarët. Përveç kësaj, Raphinha ka ruajtur instinktin e tij prej golashënuesi, duke e bërë edhe më të rrezikshëm sulmin e Flickut.
Rodri, mesfushori që i jep Barcelonës kontrollin
Nëse ekziston një transferim që mund ta ndryshojë nivelin e Barcelonës, ai është Rodri.
Klubi katalunas bëri një përpjekje të madhe financiare për ta mposhtur konkurrencën e Real Madridit dhe për ta sjellë në Camp Nou kapitenin e Spanjës.
Rodri, i cili shkëlqeu me Kombëtaren e Spanjës në Kupën e Botës 2026, është rikthyer në formën e tij më të mirë dhe përshtatja e tij me stilin e Flickut ka qenë e shpejtë.
Te Barcelona, ai po luan më shumë si mesfushor defensiv, përpara mbrojtjes, duke nisur aksionet e para dhe duke kontrolluar ritmin e lojës.
Kjo i ka dhënë Pedrit më shumë liri për t’u avancuar dhe për të luajtur një rol më kreativ.
Paraqitja ndaj Valencias është shembulli më i mirë. Rodri preku topin 83 herë dhe humbi vetëm dy topa. Ai kompletoi 81 nga 83 pasimet e tij, me saktësi prej 98 për qind.
Në gjysmën e fushës së Valencias, ai realizoi 54 nga 55 pasime, ndërsa i kompletoi të pesë pasimet e gjata. Në aspektin defensiv, ai rikuperoi gjashtë topa, realizoi një ndërhyrje dhe një interceptim. E gjithë kjo ndodhi në vetëm 62 minuta, në startin e tij të parë, në një ndeshje që Barcelona e fitoi 5-0.
Rodri nuk është thjesht një mesfushor që fiton topa. Ai mund ta kontrollojë ritmin, ta mbajë posedimin, ta fitojë topin dhe menjëherë ta nisë aksionin e radhës.
Mbrojtje më e fortë dhe sulm që po frikëson Evropën
Barcelona ka dhënë sinjale se këtë sezon mund të jetë më e balancuar se më parë.
Në pesë ndeshjet e para të sezonit, katër në La Liga dhe një në Ligën e Kampionëve, skuadra e Flickut ka pësuar vetëm tri gola – dy ndaj Rayo Vallecanos dhe një ndaj Feyenoordit.
Pau Cubarsi është shfaqur si një prej liderëve të mbrojtjes, pavarësisht se është vetëm 19-vjeçar. Maturia e tij në repartin defensiv ka qenë një prej pikave pozitive të fillimit të sezonit.
Përpara mbrojtjes, Rodri i jep ekipit një tjetër shtresë sigurie dhe ndihmon në neutralizimin e aksioneve të kundërshtarëve që në fazat e para. Në anën tjetër, Barcelona po prodhon shifra mbresëlënëse në sulm.
Skuadra ka shënuar 22 gola në pesë ndeshje, pra mesatarisht më shumë se katër gola për ndeshje. Raphinha është golashënuesi më i mirë me tetë gola, ndërsa pas tij vjen Lamine Yamal me pesë.
Me Gordonin, Adeyemin, Raphinhan, Yamal dhe pjesën tjetër të repartit ofensiv, Barcelona ka një numër të madh mënyrash për t’i dëmtuar kundërshtarët. Dhe pikërisht kjo mund të jetë një prej avantazheve më të mëdha të saj në Ligën e Kampionëve.
Barcelona duket më e kompletuar, më e thellë dhe më e balancuar. Me Rodrin që kontrollon mesfushën, Raphinhan që shkëlqen si numër 9 dhe një repart ofensiv që po shënon me ritëm të jashtëzakonshëm, skuadra e Flickut ka të gjitha arsyet për të besuar se mund ta rikthejë trofeun e Ligës së Kampionëve në Kataluni.
Nëse arrin ta ruajë këtë nivel deri në muajt vendimtarë të sezonit, Barcelona mund të jetë skuadra që i jep fund dominimit të Paris Saint-Germainit dhe të fitojë për herë të gjashtë në histori trofeun më prestigjioz të futbollit evropian./Telegrafi/