Profile të dyshimta dhe llogari të rreme në rrjetet sociale po intensifikojnë aktivitetin e tyre në Kosovë. Postimet, komentet dhe thirrjet që nxisin urrejtje e përçarje synojnë të ndikojnë në opinionin publik dhe të rrisin tensionet në vend. Fokusi që kanë shumë prej këtyre profileve është vendimi i Gjykatës në Hagë.
“Duhet të kallët edhe shtëpia jonë, që të mos gëzohen udbashat. Rusia dhe Serbia me çdo kusht e duan dënimin pikërisht për të kriminalizuar lirinë. Ju keni pas qef me formu Rusia dhe në fund me akuzu Thaçin që je frikësu dhe s’ke guxu ta formosh vet?”
Këto janë vetëm disa nga komentet e profileve false, që ditët e fundit janë bërë shumë aktive. Profile të dyshimta dhe llogari të rreme në rrjetet sociale po intensifikojnë aktivitetin e tyre në Kosovë.
Përmes postimeve, komenteve dhe thirrjeve që nxisin dhunë, urrejtje e përçarje, këto profile synojnë të ndikojnë në opinionin publik dhe të rrisin tensionet në vend.
Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se aktiviteti i tyre është intensifikuar pikërisht në një periudhë të ndjeshme, kur pritet vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tyre, mënyra e veprimit dhe koordinimi i këtyre llogarive ngre dyshime se nuk bëhet fjalë vetëm për reagime individuale në rrjete sociale.
Sipas Halil Berishës, hulumtues i sigurisë kibernetike, kjo është një formë e luftës online që mund të përdoret për degradimin e situatës dhe nxitjen e dhunës.
“Profilet e dyshimta që përdorin gjuhë nxitëse dhe polarizuese i kemi parë edhe në të kaluarën, por duket që aktualisht fokusi që kanë shumë prej tyre është vendimi i Gjykatës në Hagë. Kjo është shumë e natyrshme, pasi edhe shumë zyrtarë të lartë në Serbi kanë ngritur skenarë për trazira, si Aleksandar Vuçiq dhe Milovan. Pra, në këtë kontekst, aktiviteti i këtyre profileve të koordinuara mund të përdoret për të thelluar ndarjet, për të rritur tensionet dhe për të krijuar materiale që në të ardhmen mund të përdoren për të rritur narrativat propagandistike kundër Kosovës nga Serbia”, tha ai.
Edhe platforma Hibrid.info, e cila merret me verifikimin e informacioneve dhe monitorimin e narrativave dezinformuese, ka vërejtur rritje të përmbajtjeve që synojnë nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes.
Nga monitorimi i tyre janë identifikuar profile të dyshimta që përsërisin me shpejtësi narrativa të caktuara.
“Ne kemi vërejtur profile të dyshimta dhe faqe në rrjetet sociale, të cilat përdoren në mënyrë të përsëritur për të shpërndarë përmbajtje të rreme, manipuluese dhe nxitëse, lidhur me zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovë. Disa narrativa përsëriten, amplifikohen dhe shpërndahen përmes një rrjeti të gjerë burimesh, duke e bërë efektin e tyre më të madh në hapësirën informative në Kosovë”, theksoi Etrit Rexhepi nga Hibrid.info.
Në anën tjetër, edhe nga vetë kreu i qeverisë së Serbisë, ditët e fundit janë bërë deklarata dhe është përdorur gjuhë nxitëse lidhur me vendimin që pritet të shpallet në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.
Në një situatë të tillë, ekspertët paralajmërojnë se hapësira online mund të shndërrohet në terren për përshkallëzimin e tensioneve, andaj kërkohet kujdes i shtuar i qytetarëve dhe organeve të sigurisë. /RTK